Analiza e Kategorisë së Parë/ Javë revolte dhe shkarkimesh, Bylisi shtron rrugën drejt elitës. Ja formacioni më i mirë dhe më i dobët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2023 | 14:29

Analiza e Kategorisë së Parë/ Javë revolte dhe shkarkimesh, Bylisi shtron rrugën drejt elitës. Ja formacioni më i mirë dhe më i dobët

Arrati, ndalesa, protesta dhe shkarkime. Ishte kjo pak a shumë ajo që prodhoi java e 13-të e Kategorisë së Parë. Golat ishin me kursim dhe festa u takoi vetëm tri ekipeve: Bylisit, Lushnjës dhe Luzit 2008. Në gjashtë ndeshje që u zhvilluan, tri përfunduan barazim dhe kjo e la renditjen gati-gati të pandryshuar. Bylisi jo vetëm që vazhdon të komandojë, por ka nisur të shkëputet. Ishte java e tyre kjo e fundit. Edhe pse me një ndeshje më pak, e shohin veten +6 në renditje.

kategoria-e-pare-1

Po shtrojnë rrugën drejt ngjitjes dhe në ndihmë po i vijnë rivalët. Të gjithë po gabojnë dhe lënë pikë rrugës, përveç ballshiotëve. Përfundimisht askush nuk është më mirë se ata. Flamurtari nuk i ndali dot dhe kjo i kushtoi vendin e punës Emiljano Çelës. Një gol i Lajthisë pa shkuar në pushim dhe penalltia e Krasniqit, vulosën fitoren e 10-të sezonale për të besuarit e Arian Bellait. Vlonjatët bënë shumë pak në këtë transfertë dhe zyrtarisht i komplikojnë punë vetes për misionin “Superiore”.

Nuk mori më shumë se një pikë edhe Elbasani, ndonëse ajo i mjaftoi për të mbajtur vendin e dytë dhe lënë pas vetes Apoloninë që e përndjek prej kohësh. Përballë Vorës edhe mund të kishin humbur në fakt. E panë veten në disavantazh pas 23 minutash, me atë gol të Qardakut. E megjithatë, mendoi i zakonshmi Greca që t’i shpëtonte nga më e keqja. Verdheblutë dëshmuan edhe një herë se jashtë fushe nuk janë aq mirë sa në “Elbasan Arena”. “X” u mbyll edhe në Fier, atje ku nuk mungoi edhe tensioni. Një gol i Apolonisë në të 89-ën minutë, solli një revoltë të stërgjatë të Korabit.

FORMACIONI ME I MIRE

Pretenduan se ishte jashtë loje dhe nuk pranonin të vijonin ndeshjen. Pas 11 minutash u bindën që të rifillonin pjesën e mbetur të takimit dhe pikërisht aty erdhi ndryshimi. Dibranët barazuar në të 109-ën, në një përballje që u mbyll vetëm pas 112 minutash. Në frymën e fundit festoi edhe Lushnja. Pas turpërimit nga Apolonia, u “zgjuan”. Likuiduan 2-1 Besën, që vetëm sa thellon krizën. Zisi në të 4-ën dhe Preknicaj në të 95-ën sollën qetësi për verdhejeshilët.

Kavajasit barazuan në të 86-ën me Perjën, por nuk ditën që ta mbronin pikën në shtesë. Si mos më keq po shkon edhe situata për Tomorin, që kanë 9 javë pa fitore dhe më të fundit e morën një ditë pas ditëlindjes së 100-të të klubit dhe përballë vendit të fundit më renditje. Luzi 2008 po reagon dhe po i shton shpresat vetes për shpëtim. Mandela dhe Koka i dhanë tri pikë të arta.

FORMACIONI ME I DOBET

Në “thatësi” të plotë u mbyll në Fushë-Krujë, atje ku Kastrioti priste Burrelin. Këta të fundit e donin se çfarë kërkonin dhe me një mbrojtje të ngjeshur siguruan një pikë kthese. Krutanët u përpoqën vërtet, por shënjestra i la në baltë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"