Analiza e javës së 29-të/ Nga Superiorja në të Dytën, zyrtarizohen 5 verdiktet e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2024 | 20:55

Analiza e javës së 29-të/ Nga Superiorja në të Dytën, zyrtarizohen 5 verdiktet e para

Java e 29-të e Kategorisë së Parë ka rezultuar përcaktuese për verdiktet e këtij sezoni, pasi pesë nga 12 skuadrat që marrin pjesë në këtë kampionat i kanë mësuar fatet e tyre. Në përfundim të kësaj jave janë përcaktuar përfundimisht se cilat janë dy skuadrat që ngjiten direkt në Kategorinë Superiore.

elbasani feste

Pikërisht, bëhet fjalë për AF Elbasanin dhe Bylisin, që të shtunën kanë hapur shampanjat e festës. AF Elbasani u krijua pa tri viteve dhe falë investimit ka pasur një ecuri galopante, duke ngjitur çdo vit nga një kategori, nga e Treta në Superiore në sezonin 2024-2025. Ndërsa qyteti i Elbasanit, pas një dekade, përfaqësohet sërish në elitën e futbollit shqiptar. Prezenca e Bylisit në të Parën rezultoi kalimtare, sepse pas një sezoni ballshiotët kthehen sërish në Superiore. Në fundjavën e shkuar Elbasani mposhti Apoloninë në shifrat 1-0, ndërsa Bylisi fitoi me rezultatin 3-2 ndaj Korabit në “Adush Muçaj”. Sa i përket kreut mbetet të përcaktohet se kush do ta fitojë titullin kampion, Elbasani që kryeson me 69 pikë, apo Bylisi që ka dy pikë më pak?

Kjo javë ka konfirmuar edhe ndy nga katër skuadrat që do të shkojnë në fazën “play off” në përfundim të sezonit të rregullt. Pikërisht bëhet fjalë për çiftin Flamurtari-Vora, që u përballën të premten mes tyre dhe fitues dolën vlonjatët, që fituan në transfertë në shifrat 3-2. Çudia më e madhe këtij sezoni mund të konsiderohet Vora, që ndonëse pësoi humbjen e gjashtë radhazi, mbetet e katërta dhe siguron matematikisht pjesëmarrjen në “play off”. Verdikti tjetër që u zyrtarizua këtë javë në Kategorinë e Parë kishte të bënte me skuadrën e parë, që edhe matematikisht zbriti në Kategorinë e Dytë. Edhe pse Tomori fitoi në Berat me rezultatin 1-0 kundër Burrelit, përfundimisht nuk ka asnjë shans mbijetese, kështu që vitin tjetër militon një kategori më poshtë.

Me këtë fitore Tomori ka futur në krizë matjanët, të cilët rrezikojnë seriozisht. Pas ndeshjes trajneri Klevis Hima shpalli “divorcin” me Burrelin, por mesa duket drejtuesit nuk janë të mendimit që të ndahen tani. Luzi 2008 ka dhuruar rezultatin më “bombastik” të javës ku “shkërmoqën” Lushnjën në shifrat 4-0. Me këtë fitore luznjakët, edhe pse janë të parafundit, i kanë mundësitë që të shpëtojnë direkt pa biletë shtesë. Lushnjarët, që ndodhen në vendin e shtatë me 31 pikë, janë më se të kapshëm nga Luzi, pasi diferenca është vetëm 4 pikë, kur dihet se janë edhe 4 javë për t’u luajtur. Besa me fitoren e vështirë kundër Kastriotit, në shifrat 3-2 dhe provizorisht ndodhet jashtë zonës së rrezikut në renditje, me 31 pikë, por asgjë nuk është e sigurt në vijim. Ndërsa krutanët me 30 pikë janë i rrezikuari më i madh për t’u parakaluar nga Luzi i parafundit, pasi distanca është vetëm 3 pikë.

formacionet

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"