Analiza e barazimit me Kukësin, Gvozdenoviç do 11 “luanë” me Erzenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2023 | 18:43

Analiza e barazimit me Kukësin, Gvozdenoviç do 11 “luanë” me Erzenin

Barazimi me Kukësin për nga mënyra se si erdhi nuk la shije të mirë për bardhekuqtë që u barazuan nga kundërshtari në pjesën e dytë. Pikërisht kjo ka qenë edhe analiza e ditës së djeshme në kampin bardhekuq, ku në thelb gjithçka është përqendruar te luhatja e Skënderbeut nga njëra pjesë në pjesën tjetër të ndeshjes.

gvozdenovic

Një fakt tepër shqetësues ky për trajnerin Ivan Gvozdenoviç, i cili këtë herë nuk ka kërkuar të gjejë justifikime, por ka kërkuar llogari nga ekipi për përgjumjen në pjesën e dytë ndaj Kukësit.

Në analizën e së enjtes, trajneri i është drejtuar ekipit të tij duke kërkuar që të mos përsëriten më të tilla situata sidomos në ndeshje që janë kaq të rëndësishme për ekipin.

“Jo pa qëllim ju lashë të reflektoni një ditë për atë që ndodhi në ndeshjen e luajtur ndaj Kukësit. Ekipi u fik pa asnjë arsye dhe gjithçka për mendimin tim është faji i mosmenaxhimit si duhet i avantazhit. Jam i bindur që pasi dominuam pjesën e parë të lojës e keni menduar shumë më të thjeshtë vijimin, pasi kundërshtari dukej “i vrarë” dhe nuk e prisnim të reagonte. Por në futboll nuk ka përgjumje, sepse ndodh kështu siç na ndodhi ne.

Kishim tri pikë të sigurta në këtë transfertë pas asaj pjese të parë e si përfundim dolëm me një, madje mund të kishim rrezikuar edhe t’i humbnim të gjitha. Janë situata që nuk i shkojnë për shtat Skënderbeut. Ndeshja vazhdon 90 minuta dhe duhet të bëjmë kujdes përgjatë gjithë ndeshjes me përqendrim maksimal. Le të na shërbejë si mësim kjo eksperiencë e hidhur. Nuk dua të krijoj alibi, por le të na shërbejë si eksperiencë dhe të rritemi, pasi eksperienca e munguar të çon në të tilla situata. Tani duhet të ulim kokën dhe të punojmë fort për të treguar se ishte një mësim i mirë dhe vetëm kaq”, theksoi fillimisht trajneri bardhekuq drejtuar ekipit.

Më tej Ivan Gvozdenoviç nuk e fshehu faktin se ndaj Erzenit, tri pikët janë të detyrueshme dhe duhet të mos diskutohen.

“Ndaj Erzenit do të jetë një tjetër betejë e fortë në aspektin sportiv, ndaj dua 11 “luanë” në fushë që mendojnë vetëm tri pikët si objektivin final. Jemi të sigurt që do të jetë një ndeshje e fortë, por duhet të tregojmë karakter dhe faktin se jemi Skënderbeu dhe nuk duhet të ulim kokën.

Kërkoj nga ju një tjetër ndeshje të madhe siç kemi bërë me Teutën dhe Tiranën në këto javë të fundit, por edhe si në pjesën e parë me Kukësin. Një ekip agresiv që ka si synim vetëm të fitojë. Balanca është më e rëndësishme për mua, të mos jemi të zhbalancuar pasi ky është tregues i një ekipi të madh”, mbylli analizën trajneri veç detajeve tekniko-taktike të diskutuara me video para gjithë ekipit.

Dukshëm që barazimi i fundit nuk i ka pëlqyer askujt në klub apo staf, ndaj edhe presioni për fitore ndaj Erzenit është i madh.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"