Tirana shumë e kufizuar, Partizani gaboi zëvendësimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2023 | 0:10

Tirana shumë e kufizuar, Partizani gaboi zëvendësimet

NGA AGIM CANAJ

canaj

Ishte një ndeshje e luftuar derbi, por barazimi natyrisht që i shkon për shtat Tiranës. Ishte si një fitore për bardheblutë, që treguan forcë karakteri, ndërsa të kuqtë më befasuan me zëvendësimet që bënë. Realisht nuk e kuptova trajnerin e Partizanit se ç’donte të bënte me zëvendësimet…

PJESA E PARË

Tirana e filloi ndeshjen me një 4-3-3 në pamje të parë, por për 15 minutat e fillimit ishte realisht një 5-4-1. Strategji e Shehit për të qenë të sigurt dhe për të mos rrezikuar asgjë në start, sepse një gol mund t’u shkatërronte gjithë planin. Nga ana tjetër, Partizani ishte me një 4-3-1- 2 që luante me vetëbesim, bënte presion në mënyrë të organizuar dhe e mbante Tiranën larg portës.

Në minutën e 23-të Rrapaj rrezikoi me një gjuajtje, ndërkohë që 6 minuta më parë, në të 17-ën pra ishte Berisha i Tiranës që tentoi, por jo në mënyrën e duhur. Këtu mbaroi faza e “studimit” dhe nga minuta e 30-të deri në të 45-ën ishte Partizani më i organizuar, dilte me aksion drejt portës së Tiranës dhe duke sulmuar shpesh nga krahët.

Fantastik ai veprim i Magete, që pasoi për Da Silvën, por Bekaj u tregua hero. Për nga presioni i ndeshjes, intensiteti i garës dhe rëndesës psikologjike, skuadra që do të shkonte me një gol të pësuar në dhomat e zhveshjes në fund të pjesës së parë, zor se e merrte më veten.

Prandaj edhe ekipet i kushtuan aq shumë rëndësi dueleve të forta dhe prandaj Bekaj është një nga heronjtë e Tiranës, me atë pritje në minutat e fundit të pjesës së parë. Për mendimin tim, Partizani ishte dukshëm më i organizuar dhe më kërkues në shumicën e kohës, ndërsa Tirana kishte një plan të thjeshtë: mbrohu mirë, top të gjatë tek Abazaj dhe luftë deri në frymën e fundit për topin e parë. Kjo i eci në pjesën e parë, por…

PJESA E DYTË

Fraksioni i dytë i lojës nisi me të njëjtën strategji, por shënimi i golit nga Partizani ia prishi planet Tiranës. Bardheblutë nisën të sulmonin me shumë dëshirë, por pa qartësi dhe Partizani po e përballonte mirë. Atëherë kur unë prisja që Partizani ta sulmonte Tiranën, pikërisht në linjat anësore, për shkak të hapësirave që po linte, trajneri i tyre mori përsipër një rrezik shumë të madh: vendosi që të hiqte nga loja Rrapajn për Bilalin, e më pas edhe Mbanë me Da Silvën.

Pra, Partizani hoqi dorë nga loja e organizuar dhe po përpiqej vetëm të mbrohej, duku u tërhequr masivisht drejt zonës dhe duke i lënë praktikisht gjithë iniciativën Tiranës. Unë prapë isha i bindur se Tirana nuk i shënonte dot gol Partizanit, përveçse me ndonjë goditje nga jashtë zonës. Dhe ashtu ndodhi. Por jam vërtet i befasuar nga ndërrimet që bëri trajneri i Partizanit.

Pra, ke një treshe që ka mbajtur peshën gjithë kampionatin si Rrapaj-Mba-Da Silva dhe kjo treshe rezulton “fituese” edhe kundër Tiranës, sepse ata e gatuan golin, dhe pastaj shkon i heq nga fusha?! Shumë e guximshme dhe shumë e rrezikshme ta bësh këtë në ndeshjen më të rëndësishme te sezonit.

Goli i Deliut e nervozoi Partizanin dhe nuk po arrinte të shkonte si duhet drejt portës së Tiranës, sepse nuk funksionin krahët, por nuk kishin më asnjë vertikalizues si Rrapaj. Tirana mund t’u kishte shënuar sërish, por Abazaj megjithëse është një emër i madh, nuk është në formë.

Tirana mori një pikë të artë, nëse marrim në konsideratë se sa të varfër e ka stolin dhe se sa shumë mungesa kishte. Partizani ndërkohë nuk menaxhoi fuqinë që ka si në fushë, ashtu edhe në stol. Në garën për titull shoh bardheblutë në avantazh, sepse për mua Partizani nuk e ka më në dorë fatin e tij, por asgjë nuk ka mbaruar. Janë ende në lojë të dyja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"