Probleme në mbrojtje, Partizani pa iniciativë! Ja si ia dalin në Elbasan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2023 | 23:04

Probleme në mbrojtje, Partizani pa iniciativë! Ja si ia dalin në Elbasan

NGA AGIM CANAJ

Collage Maker-25-Aug-2023-11-03-PM-5781

Qartazi Partizani kishte menduar vetëm për mbrojtjen që në fillim të ndeshjes. Ishte e pritshme, për shkak të cilësive që ka Astana, por edhe diferencave financiare, sepse ato përkthehen me lojtarë më cilësorë në fushë.

Partizani ishte i organizuar dhe nuk po rrezikonte asgjë në minutat e para, derisa u dëmtua Grezda dhe më pas ndryshoi mbrojtja nga katër u bë me tre. Aty pastaj gjykoj se dolën në pah probleme serioze të Partizanit. Jo vetëm se Astana rrezikoi disa herë, por sepse koordinimi i mesfushës me mbrojtjen ishte i dobët dhe nuk i jepte asnjë siguri skuadrës. Prej kësaj pasigurie Partizani ishte apatik pothuajse gjithë pjesën e parë: pa forcë sulmuese, pa vetëbesim se mund ta ndëshkonte Astanën dhe pa asnjë ide se si duhej të shkonin te porta kundërshtare.

Partizani 11

E kuptoj fare mirë që mungesat e Mbasë dhe Da Silvës nuk janë të lehta për t’u zëvendësuar në sulm, por problemet ama lindnin që në mbrojtje dhe mesfushë. Koordinimi i Sotës me Kocijan la shumë për të dëshiruar. Mbrojtësi kroat mund të bëjë gjëra të mira në të ardhmen ose edhe në kampionatin shqiptar, por në Europë e ka të vështirë. Ka gabuar edhe në ndeshjet e mëparshme të Partizanit. Më duket i ngathët dhe problematik në dyluftimet një për një. Kjo e vuri në vështirësi prapavijën. Ndërkaq, edhe dublimet që duhej të bënte mesfusha në fazën mbrojtëse, nuk m’u dukën edhe aq të harmonizuara.

FAZA SULMUESE

E përsëris, Mba dhe Da Silva janë shumë të rëndësishëm për Partizanin, por ama duhet edhe një Grezda ndryshe. Ai ka cilësi dhe na i ka treguar në të kaluarën, por deri tani me Partizanin ka lënë për të dëshiruar. Forma e tij e dobët e ka vënë në trysni të tregojë se di të bëjë më shumë se aq, por u sforcua dhe u dëmtua. Mbetet për t’u parë ky lojtar në të ardhmen.

SI IA DEL NË ELBASAN

Biem dakord që Partizani pati edhe fat, sepse VAR-i u anuloi me të drejtë tre gola vendësve, sepse ndryshe nuk do të kishte histori. Rezultati 1-0 nuk është i lehtë, por as i pakalueshëm. Astana mbetet favorite për shumë arsye, por Partizani i ka mundësitë ta përmbysë. Pse? Sepse performanca e pjesës së dytë më dha shpresë. Maget, sipas mendimit tim, nuk duhet të qëndrojë në stol. Është lojtar me potencial dhe pas “gropës” që ka lënë Matondo në mesfushën e kuqe, ai duhet marrë seriozisht si alternativë. E tregoi në fushë që i jep frymëmarrje Partizanit.

Së dyti, vertikalizimet e Rrapajt dhe kombinimet me Muratajn, Magetin dhe Bintsukën, nëse kolaudohen pak më shumë, mund ta vënë në vështirësi Astanën. Por Zekiç duhet që më parë të sistemojë disi mbrojtjen dhe t’i kërkojë skuadrës të jetë sa më e shkurtër.

Astana përballohej vetëm nëse ekipi qëndronte i shkurtër në fushë, sepse kur iu lije hapësira, atëherë kazakët ishin të rrezikshëm. Një tjetër element surprizë mund të jetë edhe rikthimi i Mbasë, por mbi të gjitha duhen sistemuar faza mbrojtëse dhe menduar se si duhet ta godasin Astanën. Iu duhet shumë më tepër iniciativë në Elbasan. Nuk kanë shumë ditë në dispozicion për të gjetur ekuilibrat e duhura, por në kësi rastesh duhet një sforco nga të gjithë. Partizani ka cilësi dhe ka një shans të artë që të arrijë në grupe, ndaj duhet të bëjë të pamundurën në ndeshjen e kthimit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"