Partizani i mundi në mesfushë, Hasani jashtë pozicionit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2023 | 20:50

Partizani i mundi në mesfushë, Hasani jashtë pozicionit

Nga AGIM CANAJ

Collage Maker-20-Oct-2023-08-49-PM-2832

Nëse do të flisja para ndeshjes, mendoj se Tirana do të ishte superiore për shkak të mungesave të shumta që kishte Partizani. Mirëpo derbi na tregoi se Partizani ishte vendosur më mirë në fushë. U shfaq dukshëm më mirë në aspektin taktik.

PJESA E PARË

Tirana e nisi me skemën 4-3-3, me tre sulmues taktik, që duhej ndoshta të shkëmbenin krahët më shpesh. Partizani nga ana tjetër kishte vetëm dy sulmues të deklaruar dhe luajti me modulin 4-3- 1-2. Kjo e ndihmoi të ishte më i balancuar në mesfushë, të lexonte më mirë aksionet e Tiranës, por edhe të sulmonte me agresivitet. Më ra në sy që te Partizani ishte Taipi ndërlidhësi i mesfushës me sulmin. Ai e bëri mirë këtë detyrë, sepse mbronte me kujdes, por edhe ndërtonte aksione shpejt dhe me vendosmëri. Këtë nuk e pashë te Tirana.

Linte vazhdimisht hapësira pas dhe Cara me shpejtësinë dhe teknikën e tij i futi në panik. Tirana ishte më e rrezikshme në kundërsulm, por Abazaj ishte në një ditë jo të mirë. Nuk e di gjendjen e këtij lojtari, por në të tilla ndeshjet duhet pak më shumë cinizëm dhe vendosmëri.

Mbrojtja e Partizanit gjithashtu ishte më e organizuar dhe ofroi siguri, ndërkohë mbrojtja e Tiranës shpeshherë ishte shumë e shkëputur nga mesfusha, por edhe shumë larg njëri-tjetrit, duke lënë hapësira të rrezikshme. Një gjë tjetër që më ra në sy dhe m’u duk një zgjedhje jo e goditur, ishte zhvendosja e Hasanit në krah dhe Abazaj në qendër të sulmit. Hasani jep më shumë në qendër dhe këtë e tregoi në fraksionin e dytë të lojës.

PJESA E DYTË

Ndërrimi i vendeve mes Hasanit dhe Abazaj dha menjëherë efekt, edhe pse jo atë që prisnin te Tirana. Bardheblutë megjithatë nuk korrigjuan problemet që kishin në mesfushë, aty ku numerikisht dhe fizikisht Partizani ishte më mirë dhe më i disiplinuar.

Për pasojë, rrezikshmëria e Tiranës varej vetëm nga inkursionet dhe iniciativat e Latifit, pa i shërbyer sulmuesit si duhet brenda zonës. Ndërkohë Partizani ishte shumë herë më kontrollues dhe më autoritar në mesfushë, duke tentuar herë pas here të niste aksione të rrezikshme me Rrapajn, që ka aftësinë dhe teknikën për ta bërë mirë këtë gjë. Tirana vërtet goditi dy shtylla nga dy goditje standarde, por loja e saj ndryshoi vetëm në dy momente: pasi pësoi golin dhe pasi futi Kainën në fushë.

Kjo do të thotë se Kaina mund të ishte aktivizuar pak më herët, pasi vetëm me atë në fushë Tirana iu rikthye lojës së saj me logjikë dhe me rrjedhshmëri. Partizani e meritoi ta fitonte, sepse e kishte përgatitur shumë mirë këtë ndeshje pavarësisht mungesave, kishte studiuar kundërshtarin dhe kishin marrë masat për t’iu kundërvënë lojtarëve të shpejtë të Tiranës, por edhe strategjisë së tyre për kundërsulmin e rrezikshëm që kanë bardheblutë.

Ka meritë edhe stafi i Partizanit, sepse i goditi ndërrimet. Futja e Bilalit i dha freski mesfushës në një moment kur Tirana po shtynte me të gjitha forcat, ndërkohë që edhe goli i fitores u “gatua” nga dy lojtarë që erdhën prej stolit. E thënë shkurt: Partizani e bëri diferencën në mesfushë dhe ishte gjithnjë një hap para edhe në fazën sulmuese, ndërsa Tirana la vazhdimisht hapësira që e ndëshkuan në fund.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"