Analiza/ Bylisi nis shkëputjen, Besa në “ashensorin” ngjitës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2024 | 15:00

Analiza/ Bylisi nis shkëputjen, Besa në “ashensorin” ngjitës

Java e 19-të e Kategorisë së Parë ka dhuruar rezultatet interesante, të cilat u pasqyruan edhe me disa lëvizje në tabelën e klasifikimit.

hgjhgf

Elbasani frenoi disi këtë javë duke barazuar në shtëpi me Flamurtarin dhe me lënien e dy pikëve verdheblutë lëshuan edhe vendin e parë në renditje. Gjithsesi skuadra e trajnerit Nevil Dede edhe pikën e mori me fat dhe mes polemikash. Flamurtari, edhe pse ishte me 10 vetë arriti ta përmbysë rezultatin, por VAR-i e anuloi golin e fitores së vlonjatëve në minutat shtesë. Gjithsesi, një debutim pozitiv për trajnerin Eqerem Memushi, që në pak ditë arriti të ndryshojë disi fytyrën e kuqezinjve.

Kjo ishte edhe ndeshja që prodhoi më shumë polemika, ku vlonjatët akuzuan gjykimin, që sipas tyre u mohoi trepikëshin. Bylisi mori një fitore me peshë dhe me aromë Superioreje në “Roza Haxhiu”, ku ballshiotët fituan me dy golat e Abubakar Kamara. Skuadra e trajnerit Bellai kryeson e vetme Kategorinë e Parë, me dy pikë më shumë se Elbasani. Bylisi ka edhe një ndeshje për të luajtur, të prapambeturën me Kastriotin, duke pasur mundësi që ta thellojnë më shumë epërsinë në renditje. Vora menjëherë bëri autokritikën e humbjes në Ballsh dhe me fitoren 4-2 ndaj Kastriotit mbetet skuadra e vetme që i bën presion dyshes kryesuese. Padyshim, në këtë sukses spikati sulmuesi Fatmir Prengaj, që shënoi tre gola. Fitore shprese mori edhe Besa, që me triumfin 2-0 ndaj Tomorit arriti të lërë vendin e parafundit dhe të ngjitet në renditje. Përforcimet e merkatos së dimrit e dhanë menjëherë efektin te kavajasit, ku blerja e bujshme, Mustafa Ba, shënoi që në debutim me verdhezinjtë.

Burrelit i ka mjaftuar goli i mbrojtësit Kastrati për të fituar derbin e prefekturës ndaj Korabit. Apolonia mori tri pikë ndaj Luzi 2008, por fierakët vuajtën shumë për të marrë këtë trepikësh, që erdhi nga penalltia e shënuar nga Stefano Omeri. Lushnja rezultoi pengesë e lehtë për Bylisin, kështu që skuadra e trajnerit Magani nuk arriti që të përfitonte nga ndalesa e Korabit për t’u afruar te zona “play off”. Luzi vazhdon të jetë i fundit në renditje, ndërsa Tomori pas dy rezultateve pozitive, ra në transfertë ndaj Besës. Lufta për mbijetesë mbetet me rreze të gjatë veprimi, pasi nga Burreli i vendit të 8-të deri te Luzi i vendit të fundit diferenca është vetëm 7 pikë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"