Ambicie të mëdha/ Kupa prioritet, Dinamo gati për një start të fuqishëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2022 | 22:45

Ambicie të mëdha/ Kupa prioritet, Dinamo gati për një start të fuqishëm

Nga transferta e Sarandës nis rrugëtimi i Dinamos në Kupën e Shqipërisë për këtë sezon. Klubi kryeqytetas synon të ketë një ecuri sa më të mirë në këtë kompeticion, pse jo të marrë edhe trofeun. E kanë thënë shpesh në deklaratat e tyre drejtuesit e Dinamos, presidenti Bardhi dhe faktorët e tjerë të klubit.

dinamo

Trajneri Nevil Dede u shpreh pas fitores me Burrelin se skuadra e tij do ta respektojë maksimalisht Butrintin, kundërshtarin e parë të Kupës. Pas nisjes së mirë të kampionatit, blutë kanë si objektiv të startojnë sa më fuqishëm edhe në këtë kompeticion, duke mos i vënë në diskutim turet e para. Kryeqytetasit realisht kanë një organikë të plotë dhe jo më kot e kanë përcaktuar Kupën si një objektiv parësor për këtë sezon.

Do të ishte një shtysë e fortë për moralin dhe prestigjin e klubit, nëse Dinamo do të bënte ndonjë surprizë, duke e fituar trofeun, apo edhe duke i shkuar afër atij në ballafaqime me skuadrat më të forta të Superiores. Starti pozitiv i kampionatit ua jep bluve komoditetin për të bërë më të mirën edhe në Kupë.

SITUATA – Stafi teknik i Dinamos shpresonte shumë që të rikuperonte ndonjë nga lojtarët e dëmtuar deri më 28 shtator, kur luhet ndeshja me Butrintin, por pak shanse ka të ndodhë kështu. Jo vetëm që lojtarë si Eni Imami dhe Patrik Bardhi nuk janë gati për në mesjavë, por me shumë mundësi edhe Alesio Mija nuk do të jetë në dispozicion për të luajtur, pas dëmtimit që pësoi në kokë gjatë ndeshjes me Burrelin.

Në këto kushte, trajneri Dede pritet që të mërkurën t’u besojë lojtarëve që kanë pasur më pak minuta deri tani, duke nisur nga porta. Ali Samake, Diogo, Smaçi, Rexhinaldo dhe ndonjë tjetër, kanë mundësinë për të qenë në fushë nga minuta e parë në ndeshjen e Kupës me Butrintin. Një shans që ata nuk mund ta humbin për të treguar vlerat e tyre dhe për të “rrëmbyer” më shumë hapësira edhe në kampionat.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"