Alternativat për Dobin janë të pakta, Kukësi me ndryshime në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2022 | 15:27

Alternativat për Dobin janë të pakta, Kukësi me ndryshime në mbrojtje

Enkeleid Dobi do ta nisë aventurën e tij te Kukësi me një përballje ndaj kryesuesve të Partizanit. Sigurisht, nisje më të vështirë për trajnerin e ri të bluve nuk mund të kishte, duke parë edhe situatën në të cilën e ka marrë skuadrën, ku ndodhet në vendin e fundit me vetëm dy pikë të grumbulluara pas katër javësh kampionat.

KUKESI 5

Detyra e tij parësore është që të marrë fitoren e parë dhe më pas të shpresojë te një ecuri pozitive, e cila do ta ngjisë klubin në renditje. Për shkak të shtyrjes së takimit për ditën e hënë, Dobi do të ketë më shumë kohë në dispozicion për të njohur nga afër skuadrën dhe gjendjen e lojtarëve. Për këtë arsye, tekniku ka zhvilluar edhe dy seanca stërvitore ditën e djeshme.

NDARJA E ROLEVE

Dobi vjen pas një eksperience si lojtar në rolin e sulmuesit, ndërsa ndihmësi i tij, Ylli Shameti, ka luajtur si qendërmbrojtës, që për më tepër njeh mirë ambientin dhe filozofinë në kampin kuksian. Për këtë arsye, duke u nisur nga e kaluara e tyre si futbollistë, Dobi dhe Shameti janë duke u munduar të japin eksperiencën e tyre për lojtarët që stërviten në këtë skuadër. Dobi është duke u marrë, midis të tjerave, më së shumti me fazën sulmuese, duke parë nga afër aftësitë e tyre dhe u përpjekur që t’i përmirësojë më tej. Nga ana tjetër, Shameti ka punuar veçanërisht me mbrojtjen, duke parë që ky repart deri diku ka qenë edhe paksa më problematik në këto javë të para, ku në katër javë janë pësuar pesë gola. Mbetet për t’u parë nëse afrimi i dy trajnerëve të rinj do të sjellë risi te Kukësi dhe të mënjanojnë sadopak problemet që janë shfaqur në javët e para, duke qenë shumë larg pritshmërive.

KUKESI 4

SHQETËSIMI

Me kontigjentin që ka në dispozicion, mund të thuhet se shqetësimi i vetëm është reparti i prapavijës. Dalja e portugezit Ferreira me karton të kuq ndaj Teutës ka prishur planet për sfidën ndaj të kuqve, edhe për faktin se verilindorët kanë mungesa lojtarësh në këtë pozicion. Aktualisht është vetëm Ilieski që ka luajtur rregullisht në këtë pozicion dhe pritet që te maqedonasi të varen shpresat e qendrës së prapavijës. Ardhja e Dobit mund t’i japë mundësinë boshnjakut Isiç që të provojë zyrtarisht aventurën në futbollin shqiptar. Mirëpo, fakti që deri më tani nuk ka qenë as i grumbulluar, mund të ketë një rëndim psikologjik për të, ndaj nisja e aventurës me kryesuesit mund të ishte një risk jo i vogël.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"