Allmuça karikon blutë: Besimi dhe grinta po ndryshojnë Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2023 | 14:55

Allmuça karikon blutë: Besimi dhe grinta po ndryshojnë Dinamon

Dinamo kërkon të rikuperojë pikët e humbura në fazën e parë, kur në krye të skuadrës ishte Luixhi Di Biaxho. Me ardhjen e Dritan Mehmetit në stolin blu, ka një kthesë të skuadrës në lojë dhe rezultate, por tani vjen edhe më e vështira, sepse kërkohet përmirësim në vazhdimësi për të qenë në nivel pretendimesh.

Allmuca

Mundësitë janë, sepse për fatin e mirë të bluve, diferencat në pikë me kundërshtarët janë të vogla dhe mjaftojnë 2-3 fitore radhazi për katapultimin në katërshe. Mbrojtësi i majtë, Ilir Allmuça, një nga lojtarët më dinamovitë në grupin aktual, pasi me fanellën blu ka nisur karrierën, e sheh me optimizëm vazhdimin e sezonit. Si gjithë të tjerët në fakt, duke u nisur nga ndryshimi që ka filluar. Në bisedën për “Panorama Sport”, lojtari anësor sheh si elementë të këtij ndryshimin besimin në rritje, dëshirën dhe grintën që grupi po manifeston.

“Për ndryshimin e skuadrës në javët e fundit të kampionatit, me ardhjen e profesor Mehmetit, nuk ka shumë për të thënë. Ajo që mund të them është se në skuadër është rikthyer besimi, që në futboll është shumë i rëndësishëm. Ka ndryshuar atmosfera në ekip, në sensin pozitiv. Ka më shumë dëshirë dhe grintë në fushë nga të gjithë futbollistët. Ndoshta kjo na kishte munguar në javët e para të kampionatit, kur kemi humbur shumë pikë. Nga ndeshja në ndeshje në skuadër po rritet besimi, prandaj dhe çunat po shprehen më mirë në fushë. Nëse vazhdojmë kështu, me siguri do të jemi aty ku kishim menduar para se të niste sezoni, sepse Dinamo ka një grup lojtarësh me kualitet. Rivalët i kemi afër dhe mjafton të bëjmë si duhet punën tonë, rezultatet besoj do të përmirësohen në vazhdimësi”, ka thënë fillimisht Allmuça, ndërsa më pas foli për ndeshjen e radhës ndaj Erzenit.

“Pa dyshim që është një nga ndeshjet tona më të rëndësishme, edhe pse po flasim për javën e 13-të. Për mënyrën si kanë rrjedhur ngjarjet dhe situatën ku jemi tani, kjo ndeshje merr një rëndësi specifike, pasi një fitore e mundshme na ngre lart. E kemi të qartë se na pret një ndeshje shumë e vështirë, me një kundërshtar të fortë, por jo të pakalueshëm. Kemi gjithë kohën e nevojshme ta përgatisim këtë 90-minutësh dhe me vlerësim e përqendrim maksimal, kam shumë besim se do të marrim 3 pikët”, përfundoi mbrojtësi 27-vjeçar i bluve.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"