Alesandro Nesta: Interi ka humbur rrugën, Milan e Napoli janë për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2022 | 16:20

Alesandro Nesta: Interi ka humbur rrugën, Milan e Napoli janë për titull

Ndodhet në Majemi ku ka zgjedhur të bëjë komentatorin sportiv, por Alesandro Nesta nuk heq dorë nga trajnimi, profesion të cilin shpreson ta ushtrojë së shpejti nëpër Europë, në mos në Itali. Ish-mbrojtësi ka dhënë një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, duke analizuar Milanin në veçanti dhe Serinë A në përgjithësi.

nesta1

E nisim nga Milani. Ishte më e vështirë të fitonte apo të konfirmohej?

Milani mund të çelë një epokë. Vërtetë vjet ishin surprizë, por kjo nuk i ul meritat. Sivjet mund të përsëriten sepse lojtarët janë rritur, personaliteti është shtuar e po ashtu përvoja. Mendoj se ylli i dytë është totalisht në mundësitë e kuqezinjve.

Përse jeni kaq i bindur?

Mund të them se isha më skeptik një vit më parë. Milani është rritur e për më tepër ekipet e tjera po hasin vështirësi. Për mendimin tim gara e titullit është mes Napolit dhe kuqezinjve. Janë dy skuadrat me ide më të qarta në aspektin e klubit, lojtarëve dhe trajnerëve. Projektet janë më se të qarta.

Si trajner që jeni mund të thoni sa ka ndikuar Pioli?

Që të jem i sinqertë, nuk besoj se do të ishte kaq i zoti. E kam njohur dhe e di çfarë bagazhi ka. E konsideroja cilësor, por rezultoi i jashtëzakonshëm. Me Milanin ka bërë një mrekulli.

Milani vjet fitoi falë dyshes Tomori-Kalulu. Çfarë të mirash dhe defektesh kanë?

Janë modernë, kanë kurajë, luajnë shumë pranë vijës së mesfushës dhe nuk kanë frikë të përballojnë duele një kundër një. Sikur të ishin italianë do të ishte edhe më mirë për kombëtaren. Ja që nuk është kështu e duhet të bëjmë durim.

Po Interit çfarë po i ndodh?

Duke e parë nga jashtë mund të them se kanë vështirësi të shumta. Sidomos fizike. Nëse ndikojnë problemet e klubit nuk është mirë. Janë lojtarët, trajneri dhe drejtuesit ata që mund të kapërcejnë vështirësitë e të dalin nga kriza. Duhet të nxitojnë nëse duan titullin.

Shkriniar duket i përhumbur. Çfarë po i ndodh?

Jo vetëm ai, por i gjithë Interi e ka nisur keq. Mbase Shkriniari dëshironte të largohej. Për mua mbetet një mbrojtës shumë i fortë.

A ju pëlqen ndonjë mbrojtës italian?

Më bind vetëm Bastoni. Uroj që të mësojë të luajë sa më shpejt edhe në një prapavijë me katër lojtarë. Është e vetmja mënyrë për t’u rritur ende.

E ka humbur Alegri Juven?

Nuk është i gjithë faji i tij. Ka një rrëmujë më të përgjithshme te Juvja, sepse prej vitesh kanë bërë një hap përpara dhe dy mbrapa. Edhe në merkato mungon një linjë precize e saktë. Te Juvja nuk ka qartësi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"