Aleksi beson se mund të përsëritet sezoni i titullit: Momenti i keq kaloi, gati të mposhtim edhe Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2021 | 12:30

Aleksi beson se mund të përsëritet sezoni i titullit: Momenti i keq kaloi, gati të mposhtim edhe Kukësin

Albano Aleksi po kalon te Teuta momentet më të mira të karrierës së tij. Mesfushori fierak luan sezonin e tretë në Durrës, ku ka fituar gjithçka, por është sërish i uritur për të bërë mirë edhe këtë kampionat. Rikthimi te triumfi në sfidën ndaj Dinamos ka ndryshuar klimën te durrsakët, të cilët tashmë do të kërkojnë një tjetër triumf ndaj Kukësit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Aleksi flet në prag të kësaj ndeshjeje, por komenton edhe objektivat e klubit. Sipas tij, Teuta është e destinuar t’i shkojë deri në fund kampionatit.

ALBANO ALEKSI 1

Albano, u rikthyet te fitorja ndaj Dinamos dhe tashmë të hënën do të përballeni me Kukësin sërish në Elbasan…

Normalisht që na pret një ndeshje e vështirë, por fitorja e fundit ndaj Dinamos na ka dhënë një tjetër moral. Mendoj që e kemi kaluar atë ngërç psikologjik që kishim dhe tani duam të kemi vazhdimësi.

I keni forcat për të triumfuar ndaj Kukësit ashtu si bëtë në fazën e parë?

Kukësi është një ndër ekipet më të mira në Superligë, prandaj me bindje them se vërtet është një sfidë që duhet vlerësuar në maksimum. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë. Shpresojmë të bëjmë maksimumin, për të kaluar edhe këtë sfidë.

Thatë që kishit një ngërç psikologjik. Si ndiheni tashmë pas ndryshimeve që ndodhën edhe në staf?

Të gjithë kaluam një periudhë delikate për shkak të rezultateve jo të mira. Si unë dhe shokët e mi kemi punuar shumë, duke ndjekur udhëzimet e stafit, që përkushtohet çdo ditë në mënyrën e stërvitjes. Besoj se rezultatet do të na e shpërblejnë lodhjen.

Duket sikur keni gjetur veten në Durrës dhe sikur keni vite të tëra që luani…?

Është e vërtetë që ndihem shumë komod dhe i vlerësuar nga të gjithë pa përjashtim, por gjëja që më ka pëlqyer më shumë te Teuta është ambienti i qetë. Normalisht nëse stërvitesh në maksimum dhe me detaje për të rregulluar gabimet më të vogla, atëherë rezultati do të jetë pa diskutim pozitiv. Teuta është një klub dhe një familje e madhe. Nëse të gjithë bashkë do të japim zemrën në fushë, besoj se do t’ia dalim. Forca në grup është pika më e fortë e skuadrës, pa diskutim.

Luani në dy fronte, si i shikoni shanset për titullin dhe Kupën?

Jemi në një situatë komode, por duhet shumë mund që të shkojmë në krye. Mendoj se gjëja më e mirë do të ishte të luftojmë fort në të dyja frontet dhe natyrisht të sjellim sërish titullin në Durrës.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"