Alegri: Kieza të shfryjë me veten, jo më me mua. Nuk është më adoleshent

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 10:47

Alegri: Kieza të shfryjë me veten, jo më me mua. Nuk është më adoleshent

Misioni “3 pikë”. Masimiliano Alegri fluturon në Kaljari, aty ku ka nisur edhe karrierën e tij si trajner në Serinë A, por me një objektiv të vetëm: të rikthehet te fitorja pas derbit të barazuar dhe për të bërë një tjetër hap përpara në misionin Champions.

alegri kieza

“Kaljari ka fituar 6 nga 8 ndeshjet e fundit në shtëpi, madje nga 31 të grumbulluarat deri tani 23 i ka bërë në ‘Unipol Domus’, shënon shumë në 15 minutat e fundit të ndeshjes dhe lojtarët nga stoli janë një vlerë e shtuar dhe e rrezikshme, duke qenë se shumë prej zëvendësimeve të Ranierit kanë qenë decizive. Kështu që mendoj se është mjaftueshëm për të kuptuar sesa e vështirë do të jetë kjo transfertë, pa harruar faktin më të rëndësishëm se Kaljari është në luftë për mbijetesën, objektiv që vlen sa Champions-i ynë.

Si fitohet në Kaljari? Shumë thjesht, duke u vënë në nivelin e tyre, duke luftuar me të njëjtën uri që ka një skuadër në luftë për mbijetesën për të marrë tri pikët në çdo formë të mundshme”. Më i qartë se kaq 56-vjeçari bardhezi nuk mund të ishte në analizimin e përgjithshëm të ndeshjes në Sardenjë, mbrëmjen e sotme, pas së cilës të martën do të jenë të impenjuar në një tjetër transfertë të rrezikshme, si ajo me Lacion, gjysmëfinalja e kthimit e Kupës së Italisë, duke kujtuar që të parën e fituan 2-0 në Torino.

Shkurt, kjo do të jetë java që do të zbulojë nëse për Juventusin ky fundsezoni do të jetë disi më i lumtur, apo zhgënjyes totalisht, pasi kritikat mbi skuadrën sa vijnë e shtohen, shumë çështje delikate kanë mbetur pezull, duke përfshirë edhe të ardhmen e Alegrit, por në të njëjtën kohë edhe tensioni brenda Juves gjithashtu duket në maksimum.

Siç ishte për shembull shpërthimi i Federiko Kiezës ndaj trajnerit të tij, në rastin e zëvendësimit në derbin me Torinon, temë të cilën Alegri i përgjigjet me kënaqësi: “Kieza mërmëriti që pse del gjithmonë ai i pari? Pikësëpari në karrierën time kam parë edhe shumë më të këqij sesa ai, por mendoj se bën pjesë e momentit tonë jo shumë të bukur. Vështirësitë e Federikos pas rikthimit nga dëmtimi i gjatë janë të dukshme nga të gjithë, ndonëse unë jam shumë i lumtur nga ajo çfarë po bën. Për ne dhe po flas në emër të të gjithë klubit, Kieza është një futbollist shumë i rëndësishëm. Por në të njëjtën kohë di të them se përpara se të shfryjë ndaj të tjerëve, të nisë të kuptojë se ndoshta ka ardhur koha që të pretendojë gjithmonë e më shumë nga vetja, pasi tanimë nuk është më adoleshent.

Po Vlahoviç që nuk shënon nga 25 shkurti? Edhe për Dushanin vlen i njëjti argument si për Federikon. Vlahoviç dhe Kieza janë lojtarë të një kategorie shumë të lartë, futbollistë të shkëlqyer që me pak më shumë impenjim e vetëbesim mund të shndërrohen në fenomene. Koha flet në favorin e tyre, por e kanë ata në dorë nëse duan të ndryshojnë”.

Një tjetër fenomen dhe ndoshta lojtari mbi të cilit Juventusi do të ndërtojë skuadrën e të ardhmes është edhe Kenan Jildiz, për të cilin portieri Vojçeh Shezni, në një intervistë të fundit vuri bast se do të jetë shumë shpejt për “Top të Artë”.

“Me gjykimet, por akoma më shumë me parashikimet duhet bërë tepër kujdes. Mua më vjen mirë që Shezni ka këtë ndjeshmëri dhe lidhje të shkëlqyer me Jildizin, por siç kam thënë gjithmonë, një lojtari 18-vjeçar e kushtëzon shumë kur e kritikon, por edhe kur e bombardon me elozhe nuk është se i bën mirë. Jildiz dhe Kieza kanë pak a shumë të njëjtin rol, ndonëse Federiko luan edhe në të djathtë. Madje, në Kaljari ky është dyshimi im në sulm, se cili prej të dyve do të jetë përkrah Vlahoviçit”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"