Alcani nuk heq dorë lehtë: Në Burrel nis ose ndalet rruga e Besëlidhjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2023 | 18:55

Alcani nuk heq dorë lehtë: Në Burrel nis ose ndalet rruga e Besëlidhjes

Alert Alcani ka vërtet shpresa për mbijetesën. Edhe pse shanset duken minimale 6 javë para fundit, trajneri i Besëlidhjes beson se mund të ndodhë mrekullia. Nëse marrin një pjesë të mirë të pikëve në ndeshjet e veta dhe rivalët gabojnë, atëherë Besëlidhja mund t’i largohet minimalisht zonës së kuqe.

Alcani Noka

Për të mos i lënë asgjë rastësisë, përgatitjet në Lezhë po vijojnë më ritëm të lartë, Duket përfituar nga ndalesa e garës, stafi teknik i ka shtuar ngarkesat. Po punohet në të gjitha planet. Jo vetëm atë fizik, teknik dhe takim, por edhe atë psikologjik. Dhe morali nuk është se mungon në fakt. Ai barazim përballë Skënderbeut ka ndikuar së tepërmi dhe këtë e pranon vetë tekniku.

Gjatë deklaratës së dhënë “Panorama Sport”, ai thotë: “Këtë javë stërvitore e kemi nisur të qetë pas barazimit pa gola që morëm përballë Skënderbeut. Ai rezultat na jep shpresë, pasi erdhi nga performanca shumë e mirë e ekipit. Pavarësisht se nuk arritëm që të shënonim, morëm sinjale të mira. Ekipi tani është në formën e tij më të mirë nga të gjitha pikëpamjet, përfshi edhe atë psikologjike.

Tani unë së bashku me stafin po punojmë intensivisht, jo vetëm për ta ruajtur këtë formë, por edhe për ta përsosur më tej. Në radhë kemi një transfertë shumë të rëndësishme ndaj Burrelit. Kjo ndeshje ka rëndësinë e një finaleje për ne, por edhe për matjanët humb. Duke analizuar pozicionet tona, ne jemi në fund, por edhe kundërshtari ka një diferencë të ngushtë pikësh me zonën e ftohtë, kështu që kjo do të jetë një sfidë e luftuar.

Duke e ditur se në lojë janë edhe 18 pikë, askush nuk mund të jetë i qetë. As ata që janë në mesin e artë. Diferencat janë aq të ngushta sa një ndeshje përmbys gjithçka. Nuk mund të them se në Burrel vendoset përfundimisht gjithçka, por aty nisim ose ndalim rrugën e mbijetesës. Duhet ta kapim këtë shans, pasi direkt kemi dy takime në shtëpi dhe ato i mendojmë tonat”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"