Albi Dosti kthehet te Teuta, vë “bast” me drejtuesit e klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2017 | 15:42

Albi Dosti kthehet te Teuta, vë “bast” me drejtuesit e klubit

Mesfushori durrsak, Albi Dosti, është afrimi i radhës te Teuta. Pas katër vitesh larg Durrësit, 25-vjeçari rikthehet te “djemtë e detit”, aty ku nisi karrierën futbollistike. Ky është përforcimi i tretë i drejtuesve në këtë sesion të merkatos, pasi më parë kanë nënshkruar me dy mbrojtës, vlonjatin Arbër Beqaj dhe kroatin Ante Hrkaç.

Albi Dosti Sibenik

Ndërkohë, Dosti ndihet i lumtur që u rikthye te Teuta, teksa për “Panorama Sport” është i bindur se do të justifikojë besimin që i dhanë drejtuesit e klubit.

“Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e Teutës në sezonin e ardhshëm. Dua t’i falënderoj drejtuesit për besimin që më dhanë. U premtoj drejtuesve dhe stafit teknik se do të punoj fort për të justifikuar gjithçka”, ka thënë fillimisht Dosti, i cili, në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, luajti për Bylisin në Kategorinë e Parë, në një kohë provoi edhe një eksperiencë të shkurtër në Kroaci me Shibenik.

I pyetur se si e shikon sezonin e ri, 25-vjeçari beson se Teuta do të jetë surpriza e vërtetë e kampionatit. “Skuadra ende nuk është formatuar dhe ndoshta është herët të flasim për objektivat, por drejtuesit po punojnë për të ndërtuar një ekip cilësor dhe me ambicie të mëdha. Në skuadër do të afrohen lojtarë që bëjnë diferencën dhe ky është një plus i madh.

Drejtuesit më kanë thanë se kërkojnë të ndërtojnë një skuadër kompetitive për të fituar edhe titullin kampion në sezonet e ardhshme. Kjo gjë më bindi, ndaj dhe pranova menjëherë ftesën e tyre për t’u ribashkuar me Teutën. Në këtë sezon, objektivi ynë është të renditemi në tre vendet e para. Me punë dhe përkushtim, gjithçka është e mundur”, përfundoi fantazisti durrsak, i cili, krahas Teutës, ka luajtur edhe me fanellën e Kukësit në Superiore.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"