Akti final, Egnatia kërkon atë që i takon… Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2024 | 8:25

Akti final, Egnatia kërkon atë që i takon… Egnatias

Takimi me historinë po afron, Egnatia është shumë afër titullit të parë kampion në futbollin elitar shqiptar. Ka edhe hapin e fundit për të hedhur, nëse Partizani do ta lejojë mbrëmjen e së dielës në stadiumin “Air Albania”, ku do të luhet finalja e “Final 4”.

egnatia

 

Rrogozhinasit duan ta kthejnë në një ditë feste të madhe 26 majin. Skuadra e trajnerit Edlir Tetova i ka dhënë provat dhe meriton respekt për atë që ka prodhuar këtë sezon, por s’mjafton fakti që e ka udhëhequr kampionatin për 30 javë. Formula e këtij sezoni e penalizon këtë skuadër, që për të hyrë në histori, duke shkruar emrin në librin e artë të titullit kampion, duhet të mundë Partizanin. Mundësitë janë, por në një ndeshje teke gjithçka mund të ndodhë dhe përqendrimi në kampin rrogozhinas është maksimale.

FAKTORI “DUAMENA” – Egnatia pati një ecuri shumë të mirë gjatë kampionatit, edhe pse humbi kapitenin dhe goleadorin Rafael, i ndarë nga jetë tragjikisht më 11 nëntor 2023, pikërisht në një ndeshje me Partizanin. Sulmuesi 28-vjeçar deri atëherë ishte golashënuesi i Superiores me 9 gola në po kaq ndeshje të luajtura. Një lider i vërtetë i skuadrës dhe idhull për tifozët rrogozhinas. Ndarja e parakohshme nga jeta e lojtarit në fjalë u përjetuar shumë tek Egnatia, që çdo gol të shënuar më pas ia dedikonte pikërisht atij. Rafael Duamena kishte premtuar se titullin kampion do ta sillte në Rrogozhinë dhe të dielën u takon shokëve të tij që t’ia plotësojnë këtë dëshirë, duke fituar edhe për të. Është një faktor më shumë që sigurisht do të ndikojë për ta shtyrë Egnatian drejt fitores në “Air Albania”.

RITËM KAMPIONI – Rrogozhinasit kanë ruajtur një ritëm prej kampioni në kampionatin e rregullt, duke mbajtur kryesimin për pjesën më të madhe të tij. Gjithmonë kanë pasur diferencë me rivalët, ndërsa në gjysmëfinale të “Final 4” eliminuan Vllazninë. I gjithë opinioni futbolldashës e vlerëson Egnatian si kampionen morale të këtij sezoni, duke marrë në konsideratë atë çfarë kjo skuadër ka dhënë në fushën e blertë. Tani synimi është që Egnatia të shpallet edhe “de jure” kampione e Shqipërisë për herë të parë. Do të ishte një arritje e madhe për klubin modest dhe qytetin e Rrogozhinës.

SHIFRAT PRO – Edhe numrat janë në anën e rrogozhinasve sa u takon sfidave direkt me Partizanin, kundërshtarin e së dielës. Në 4 ndeshje kampionati mes tyre, skuadra e Tetovës nuk është mposhtur asnjëherë nga kryeqytetasit. Egnatia është e vetmja skuadër, kundër së cilës Partizani nuk ka asnjë fitore në kampionatin e rregullt. Kuptohet që statistikat s’vendosin në fushë, por diçka tregojnë. Është shansi që nuk duhet humbur: të dielën në mbrëmje, në “Air Albania”, Egnatia do të kërkojë atë që i takon… Egnatias.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"