“Aksidentalisht në vend të fundit, dua 4 afrime”, Çoçlli tregon planin për Besëlidhjen: Pretendoj që të ndërtoj dy ekipe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2022 | 14:21

“Aksidentalisht në vend të fundit, dua 4 afrime”, Çoçlli tregon planin për Besëlidhjen: Pretendoj që të ndërtoj dy ekipe

Si asnjëherë tjetër në 15 vite, Besëlidhja nuk e ka mbyllur gjysmën e parë të sezonit në fund të tabelës. Ndonëse ndeshjen e fundit të 2022-shit lezhjanët barazuan me Flamurtarin, rezultatet pozitive të rivalëve më të afërt e zbritën në vend të 14-të.

NIKOLIN COCLLI

Në këtë pozicion janë të rënë, e megjithatë Nikolin Çoçlli e ka një plan për ringritjen. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri flet me detaje për merkaton.

“Ka rreth shtatë javë që kam marrë drejtimin e Besëlidhjes dhe kjo periudhë ka qenë mjaft e vështirë për mua. Ekipi ende nuk ka dalë nga ujërat e turbullta dhe kjo gjendje më ka mërzitur shumë. Në Vlorë barazuam dhe treguam se nuk e meriton fundin. Aty ndodhemi aksidentalisht. Që nga nesër (sot) ekipin e kemi lënë pushim për festat e fundvitit, për t’u grumbulluar më 4 janar. Së bashku me stafin kemi evidentuar pikat që duhen rifreskuar në merkato. Ekipi ka nevojë emergjente për ndërhyrje në të tria repartet, ndaj kemi menduar që të afrojmë katër futbollistë cilësorë. Presidenca na ka premtuar mbështetje, gjithashtu edhe bashkia. Duke mos e pasur luksin e të përzgjedhurit që herët të elementëve të duhur, pasi janari nuk ofron shumë, ne do të provojmë shumë futbollistë, pasi do të ketë edhe të vetofruar. Pak a shumë ne i kemi vendosur disa piketa, por na duhet një periudhë kohore që t’i provojmë se si do të integrohen në ekip. Në planet e mia është ndërtimi i një Besëlidhjeje me dy ekipe paralele, që do të rriste konkurrencën, për rrjedhojë cilësinë e ekipit bazë. Pozitiv dhe shpresëdhënës për Besëlidhjen është fakti se ka mjaft futbollistë të rinj me perspektivë, por duhet shumë punë për t’i karikuar brenda pritshmërive që mbartin. Shpresoj shumë që me rifreskimin e ekipit, ashtu siç duhet në pikat nevralgjike, as që do ta mendojmë mbijetesën, por do të shndërrohemi në kërcënim për ekipet e kreut. Diferenca e pikëve që kemi me shumë ekipe na e mundëson këtë objektiv. Duke përfituar nga ky prononcim, dua t’u uroj gëzuar festat e fundvitit të gjithëve”, përfundoi trajneri.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"