Akademitë e futbollit në kolaps, flet drejtori i Luftëtarit: Qeveria të mendojë për të rinjtë, po shkojmë drejt falimentit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2020 | 14:35

Akademitë e futbollit në kolaps, flet drejtori i Luftëtarit: Qeveria të mendojë për të rinjtë, po shkojmë drejt falimentit

Pandemia globale i ka ngujuar të gjithë, ndërsa në këtë periudhë komuniteti i futbollit ka reaguar duke i kërkuar qeverisë të kompensojë dëmet që i ka shkaktuar kjo ndërprerje e aktiviteteve, e cila nuk dihet se sa do të zgjasë.

Luftetari u17

Edhe FSHF apo Liga Profesioniste kanë ngritur zërin për një ndihmë financiare nga shteti, duke dhënë shembullin e Kosovës, por diçka e tillë nuk është miratuar nga kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, në një hall të madh janë edhe akademitë e klubeve që funksionojnë me vetëfinancim.

Pak ditë më parë ishte trajneri Elvis Kotorri që paralajmëroi kolapsin nëse qeveria nuk ndihmonte akademitë. Tashmë vjen edhe reagimi i drejtorit të akademisë Luftëtari, Nalton Musta.

Nalton Musta

Nalton Musta, drejtori aktual i Akademisë së Luftëtarit

Ish-sulmuesi që ka luajtur për gjirokastritët në vitet ’90, i bën apel qeverisë që të mbështesë financiarisht akademitë, pasi në këtë situatë, ato po shkojnë drejt falimentit. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai foli për problematikat që kanë sot akademitë pas kësaj tronditjeje globale.

Nalton, si është situata në Gjirokastër dhe çfarë masash keni marrë?

Për fat të mirë në qytetin tonë nuk ka të prekur dhe njerëzit i respektojnë rregullat. Ky është një problem global dhe ne si Akademi e Luftëtarit jemi në karantinë që nga data 10 mars. Që kur janë mbyllur shkollat, vendosëm menjëherë të pezullojmë aktivitetin e Akademisë. Mundohemi të jemi në kontakt të vazhdueshëm me fëmijët. Çdo ditë trajnerët tanë bëjnë stërvitje “online” me mundësitë që kemi. I kemi mbajtur në tonus fëmijët për t’u stërvitur në kushte shtëpie.

Sa e penalizon kjo situatë aktivitetin e një akademie?

Nga janari dhe deri në mars në akademi pati disa ndryshime pozitive. Si asnjëherë tjetër u kompletuan me bazë materiale të gjitha ekipet, duke qenë tamam profesioniste. Bëmë një sfroco me ndihmën e sponsorëve dhe prindërve. Jemi një Akademi që funksionojmë me një strukturë të ngritur dhe kjo ndërprerje erdhi në momentin më të mirë, pasi që prej janarit, në Gjirokastër u hap edhe Zyra Rajonale e FSHF-së.

Kjo është diçka pozitive jo vetëm për Gjirokastrën, por për të gjithë Jugun e Shqipërisë. I stimulon të gjithë fëmijët, të cilët po jetojnë me këtë ëndërr. Siç e thashë, u ndërpre në një moment të bukur. Në Akademinë tonë janë 140 fëmijë që stërviten çdo ditë, nga grupmosha U-9 deri tek U-19. Është një staf prej 10 trajnerësh, pa përfshirë këtu puntorët dhe mjekët. Tashmë jemi përpara një problemi të madh, sepse ne jetojmë me futbollin dhe nuk e dimë se sa do të vazhdojë kjo gjendje.

Luftetari-Teuta moshat

Çfarë kërkoni më konkretisht?

Kërkojmë ndihmë financiare nga qeveria dhe kryeministri Rama. FSHF ka ndërprerë çdo aktivitet me të drejtë, kështu që sytë i kemi nga qeveria. Presidenti Duka ka dhënë një dritë jeshile që do të na ndihmojë nga fondi rezerve i FSHF-së. Gjendja është emergjente dhe vetëm qeveria mund të ndërhyjë në këtë situatë. I kuptojmë njerëzit në nevojë, por edhe ne jetojmë me këtë punë. Ky kolaps na gjeti të papërgatitur dhe mund të kemi probleme të mëdha në të ardhmen.

U-17 Teuta Luftetari

Si përshembull?

Vazhdimësia mund të na sjellë pikërisht problematika që mund të na çojnë drejt falimentit nëse qeveria nuk na mbështet. Çdo gjë varet nga prindërit e fëmijëve, sepse jemi në një situatë kolapsi.

Keni biseduar me Bashkinë në këtë periudhë dhe a prisni të ndihmoheni nga ky institucion, duke qenë se ka edhe aksione në klubin e futbollit Luftëtari?

Në këtë moment nuk kemi biseduar. Bashkia ka lëvruar një fond për të rregulluar infrastrukturën te “Fusha e Vjetër”, aty ku ekipet bëjnë çdo ditë stërvitje. Duhet të nisnin punimet që nga muaji mars, por tani është stopuar çdo gjë prej situatës së jashtëzakonshme.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"