Afrime nga Skocia, Greqia dhe Brazili/ Flamurtari bëhet i frikshëm, futbollistët zbarkojnë në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2023 | 13:39

Afrime nga Skocia, Greqia dhe Brazili/ Flamurtari bëhet i frikshëm, futbollistët zbarkojnë në Vlorë

Flamurtari nuk di të ndalet në merkato. Vlonjatët po punojnë për goditjet e fundit. Në Vlorë kanë zbarkuar orët e fundit tre lojtarë të tjerë. “Panorama Sport” mëson se skuadrës i janë bashkuar një portier, një mbrojtës dhe një sulmues.

Collage Maker-26-Jan-2023-10.18-AM

PORTIERI Pasi huazuan Kristian Rrokun te Turbina, kuqezinjtë u hodhën sërish në kërkim të një gardiani. Ariol Kaloshi ka fituar “kredite” si titullar, e megjithatë nuk mjafton. Në dispozicion kanë vetëm 16- vjeçarin Bruno Qarri, ndaj një tjetër portier është i domosdosëm. Grupit dje iu bashkua Elgi Fejzo. Është 23 vjeç dhe ka lindur në Tiranë, por zotëron edhe pasaportë greke. Duket se kuqezinjtë janë në kërkim të shtatlartit dhe Fejzo e plotëson këtë kriter, pasi është 1.94 m. Ai vjen pas një eksperience në Skoci, ku së fundmi ka luajtur për klubin Fort Uilliam FC. Më herët është aktivizuar në disa ekipe në Angli. Në vitin 2017 e ka nisur tek Ualton Casuals dhe më pas është transferuar tek Enfield Borough. Në vitin 2020, Fejzo ka mbrojtur portën e FC Romania. Ai do të jetë në provë dhe nëse do të bindë, do të firmos me Flamurtarin.

MBROJTËSI Emilios Daulias është mbrojtës i djathtë, që është vënë nën urdhrat e stafit teknik. 22-vjeçari ka lindur në Athinë, por është me origjinë shqiptare. Karrierën e ka nisur te paratërinjtë e AEK Athens U-17 dhe më pas është transferuar tek Atromitos U19 dhe U-20. Mbrojtësi në vijim ka qenë pjesë e Ethn.Piraeus, GS Kallithea dhe Fostiras. Daulias kërkon që të bindë Flamurtarin për vlerat e tij, ndaj do të shihet me kujdes nga trajneri. Nëse bind, atëherë mund t’i ofrohet një kontratë.

SULMUESI Flamurtari kërkon që të përforcohet edhe në ofensivë, ndaj kanë afruar orët e fundit edhe një sulmues. Ai identifikohet si Augusto dhe vjen nga Brazili. Për këtë lojtar nuk ka shumë të dhëna, sepse ai më parë duhet të kalojë provën e stafit teknik dhe më pas të mund të vendoset se çfarë do të bëhet me të, do të qëndrojë apo jo.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"