Administratori i klubit të Kategorisë së Parë akuzon: Arbitri Kaimi “veshi” fanellën e skuadrës kundërshtare!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2022 | 14:39

Administratori i klubit të Kategorisë së Parë akuzon: Arbitri Kaimi “veshi” fanellën e skuadrës kundërshtare!

Matjanët kanë shpërthyer në akuza pas barazimit me Tërbunin.

Burreli-Beselidhja

Në emër të klubit të Burrelit, administrator Arjan Lleshaj, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, ka shigjetuar gjyqtarin Besnard Kaimi, që sipas tij, në pjesën e dytë “veshi” fanellën e Tërbunit dhe duke mbetur në memorien e matjanëve për padrejtësinë që bëri në këtë takim. Ja prononcimi i administratorit Lleshaj, që konteston gjykimin:

“Dua të theksoj se kryesori Kaimi ishte kundër Burrelit, kundër dy asistentëve të tij dhe kundra vëzhguesit dhe delegatit të ndeshjes.

Nuk po mundohemi të heqim barrën nga vetja, por Kaimi tregoi se ishte një amator i vërtetë dhe loja i doli nga kontrolli.

Në pjesën e parë ne luajtëm shumë pastër, u mbrojtëm, por edhe sulmuam deri sa erdhi goli me anë të një penalltie.

Pjesa e dytë nisi me një ritëm më të ngadaltë dhe me kundërsulme nga ekipi ynë, ku në një rast, traversa na mohoi golin e dytë. Pastaj futet në lojë arbitri kryesor, që ndryshon tërësisht rrjedhën e lojës. Akordon një penallti për kundërshtarin, që ne nuk e kontestojmë aspak.

Deri aty është në rregull, por pastaj kryesori “veshi” fanellën e Tërbunit. Nuk di të them me dashje apo pa dashje, por dy kartonë të kuq për Burrelin nuk akordohen në historinë e klubit.

Gjyqtari fali kundërshtarin dhe ndëshkoi ne. Kjo është e patolerueshme. Këto lloj arbitrash po prishin garën.

Uroj që ky gjyqtar të mos e ketë bërë qëllimisht, por di të them se do të mbetet gjatë në memorien e tifozëve matjanë, ku nuk lejoi të zhvillohej pjesa e dytë. Për mua janë luajtur 60 minuta lojë dhe jo më shumë.

Tri-katër herë na ka ndërprerë aksionin me prekje të topit nga ana e tij. Nuk kam fjalë. Mund ta prekë dhe ta ndalojë lojën arbitri në një rast apo dy, por jo në katër raste, tri për ne dhe një për kundërshtarin.

Kjo i ndodh vetëm Kaimit. Për sa i përket ekipit, dua të them se pas kësaj ndeshjeje, do të ecim përpara me kokën lart dhe gjithmonë do të mendojmë për ndeshjen e radhës, duke i marrë një e nga një. Për ta mbyllur, falënderoj gjithë tifozët matjanë, që janë lojtari ynë i 12-të. Shpresojmë të mos i zhgënjejmë në ndeshje të tjera”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"