Abazaj: Realizuam objektivin madhor, Bylisi bind edhe në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2024 | 16:50

Abazaj: Realizuam objektivin madhor, Bylisi bind edhe në elitë

Bylisi i Superiores synon që të jetë ndryshe dhe stafi mallakastriot, me në krye presidencën pritet që të ndërtojnë një ekip simpatik, duke u bazuar te fidanishtja, konkretisht skuadra U-21, si dhe ekipi kampion U-19.

abazaj bylis

Madje siç edhe dihet do të jenë gjashtë lojtarë të U-19 që do te kalojnë në skuadrën e parë në sezonin e ri dhe këtë e ka theksuar edhe presidenti Besnik Kapllanaj, duke nisur që nga Jahaj, Akibu, Alimerkaj, Diallo, Buraneli e Përndreca. Ndërkohë që skuadra e Superiores e ka një bazë me lojtarët që mbyllën këtë edicion, ndërsa një prej tyre është pogradecari Marin Abazaj, një lojtar i fortë që luan në qendër të mbrojtjes, por edhe para mbrojtjes dhe me eksperiencën e fituar sidomos në dy sezonet e fundit pritet që në Superiore të jetë një pikë e fortë e Bylisit.

Në një prononcim që ka dhënë për “Panorama Sport”, tashmë qe skuadra është me pushime, Abazaj ka pohuar fillimisht, duke analizuar sezonin që përfundoi. “Kemi bërë një sezon mjaft të mirë, madje deri në shkurt unë them se kemi qenë skuadra më e mirë dhe nder ekipet që kanë thyer rekord në Kategorinë e Parë sepse shkuam në 14 ndeshje pa humbje. Kemi pasur oshilacione dëmtimesh dhe kjo është parë edhe më pas, pasi fillimisht sulmuesi kryesor Xheferson e më pas Felipe Souza pësuan dëmtime të gjata.

Ne e realizuam objektivin madhor që ishte rikthimi në elitë brenda sezonit. Presidenca këtë na ka kërkuar në startin e garës duke qenë se këtë vit kishte shumë rivalitet, me ekipe me emër, por edhe me buxhet shumë të madh. Ja dolëm dhe tashmë jemi me pushime, por me mendjen te sezoni i ri. Dua që të lë gjurmë në Ballsh dhe pas një viti si titullar absolut, unë dua që të luaj edhe në Superiore dhe të bëjmë më të mirën, duke lënë gjurmë si klub.

Bylisi është nga ato ekipe që kanë traditë tashmë, sepse në dijeninë time, klubi ynë do të kryejë merkato, por do të bazohet edhe tek elementët që spikatën vjet, sigurisht edhe duke bërë promovime të elementëve të talentuar që në Ballsh s’mungojnë. Unë kam besim dhe jam optimist se do t’ia dalim”, tha Marin Abazaj, pogradecari 22-vjeçar që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në Ballsh.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"