8 fitore ndaj “Cholos”, Ançeloti është makthi i Diego Simeones

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2023 | 10:59

8 fitore ndaj “Cholos”, Ançeloti është makthi i Diego Simeones

“Për mua do të ishte diçka e bukur të qëndroja gjithnjë në krah të Ançelotit dhe të mësoja prej tij”. Kjo është një frazë të cilën trajneri i Atletikos së Madridit, Diego Simeone, e ka përdorur për të përshkruar rivalin e tij në stolin e Realit, Karlo Ançelotin.

simeone anceloti

Por edhe pse është përballur shumë herë me italianin, edhe pse e merr gjithnjë si referencë, duket sikur “Cholo” Simeone nuk ka mësuar diçka të rëndësishme: si ta mundë Ançelotin në ndeshjet që vlejnë më shumë. Të enjten në mbrëmje, ai ka pësuar disfatën e radhës kundër italianit në çerekfinalet e Kupës së Mbretit.

Në pjesën e parë gjithçka fliste për argjentinasin e Atletikos, me “Colchoneros” që kryesonin 0-1 në “Bernabeu”. Në fund gjithsesi triumfoi “Ujku i Vjetër”. Reali përmbysi Atletikon 3-1 pas kohës shtesë, duke siguruar një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit.

Ançeloti në këtë mënyrë është kthyer në një makth të vërtetë për Simeonen. Bilanci mes dy trajnerëve në përballjet e tyre është shumë i barabartë, por goditjet e italianit kanë qenë shumë të forta dhe më dëmbërës për Simeonen: e ka mundur njëherë në një finale në Ligën e Kampioneve, e ka eliminuar tri herë nga një kompeticion (dy herë në Kupën e Mbretit dhe njëherë në Champions).

Dhe që nga e enjtja në mbrëmje Ançeloti është bërë trajneri i dytë që më shumë herë e ka mundur në histori Simeonen, 8 herë. Vetëm Luis Enrike e ka mundur më shumë argjentinasin e Atletikos, në 9 raste.

Pas derbit në “Bernabeu”, Ançeloti hyri në historinë e Simeones si trajneri që argjentinasi është përballur më së shumti: 19 duele mes tyre (17 me Madridin dhe 2 me Bajernin), tetë fitore për Karleton, shtatë për “Cholo”-n dhe katër barazime.

Derbi i së enjtes përmbysi bilancin në favor të trajnerit të bardhë, të cilit i ka mbetur edhe një betejë me Simeone këtë sezon, në fazën e dytë në La Liga.

Ajo në çerekfinalen e Kupës së Mbretit është fitorja e tretë e Ançelotit në katër duelet kundër Atletikos që nga rikthimi i tij në drejtimin e Realit të Madridit.

Eliminimi i fundit është veçanërisht i dhimbshëm për Simeonen, sepse dalja nga Kupa e Mbretit e lë Atletikon pa asnjë shans për të fituar ndonjë titull në këtë sezon: jashtë Evropës, jashtë Kupës së Mbretit dhe me shanse është vetëm matematikë për të triumfuar në La Liga.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"