55 vite më parë… lindi “Shkëndija”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2023 | 18:13

55 vite më parë… lindi “Shkëndija”

NGA EDUARD DERVISHAJ
“Nëse doni frytin më të mirë të futbollit, rritni tuajin” – Mat Busby

332902283_218326010702100_7583680087837616508_n

55 vite më parë… lindi “Shkëndija”

Ata e luanin futbollin si artistë dhe hynë si një fllad në Kampionatin Kombëtar të vitit 1971-72. Një ekip i panjohur për publikun por që shumë shpejt fitoi simpatinë e futbolldashësve në të gjithë Shqipërinë. U quajt Klubi i Futbollit “Shkëndija”. Përbëhej nga studentë nga i gjithë vendi që kishin kaluar nga Shkolla e Mesme e Mjeshtërisë Sportive në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”.

Shkolla e mjeshtërisë sportive u hap në janar të vitit 1968 në Tiranë. Talente nga e gjithë Shqipëria merrnin pjesë në një proces seleksionimi. Ata që e kalonin me sukses, hynin në shkollën e mesme dhe bëheshin pjesëmarrës të ekipit të të rinjve “Shkëndija”. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ata kalonin automatikisht në shkollën e lartë. Disa nga emrat më të shquar të futbollit shqiptar në fushën e trajnimit dhe teorisë së futbollit dhanë kontributin e tyre për ngritjen e këtij ekipi:

330623887_788111402989164_5305411416454456835_n

Zyber Konçi, Shyqyri Rreli, Osman Caslli, Skënder Dedja, Myslym Alla, Bahri Ishka, Miço Ndini, Saimir Dauti, Thanas Jançe, Theodhori Gjikuria, Aurrel Vërria, Ramadan Shehu, Leonidha Dashi, Adem Agovi, Petraq Ikonomi, Milto Gurma, Besnik Çela, Dashamir Gëzdari, Edmond Zalla, Bujar Kasmi, Mehmet Spahiu, Petrit Haxhia, Skënder Sinani, Astrit Maçi, Luan Maliqi, Genc Misha, Kristaq Eksarko etj.

Ajo mund të konsiderohet si një nga “fabrikat” më prestigjioze të përgatitjes së futbollistëve në historinë e futbollit tonë. Në atë periudhë të masivizimit dhe të mbështetjes së futbollit nga shteti, kjo ishte një përpjekje shumë pozitive e ndërmarrë nga teknikët e futbollit për rritjen e cilësisë së tij. Dhe nuk ishin gabuar. Frytet e punës së tyre u dukën shumë shpejt. Në sezonin 1970-‘71 ata arritën objektivin madhor duke u shpallur Kampionë Kombëtar të Kategorisë II-të dhe si rezultat në sezonin 1971-‘72, ekipi “Shkëndija” u bë pjesëmarrës i Kampionatit Kombëtar të Kategorisë I-rë. Ishte një brez shumë i talentuar futbollistësh, ku lojtari më i madh nuk i kalonte 23 vjeç. Në pjesëmarrjen e tyre të parë në nivelin më të lartë të futbollit kombëtar ata dhuruan futboll cilësor e ndeshje shumë të bukura duke u klasifikuar në vendin e 7-të. Një rezultat shumë i mirë për kohën. Në këtë sezon arritën dhe një nga rezultatet më befasuese të kampionatit, duke mundur “Partizanin” me rezultatin 2-1.

329351951_2134300570093066_9221410087669064674_n

“Shkëndija” mori pjesë në mënyrë të pandërprerë në 9 sezone të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë I-rë duke pasur në përgjithësi renditje të mira në tabelën e klasifikimit. Rezultati më i mirë ishte ai i sezonit 1973-74, kur u renditën në vendin e 6-të dhe lanë pas ekipe me shumë traditë në futbollin shqiptar. “Aventura” e tyre e bukur, do të përfundonte në sezonin 1979-80, kur u renditën në vendin e 13-të duke lënë pas vetëm Apoloninë. Duke qenë se dy ekipet e fundit zbrisnin në Kategorinë e Dytë, “Shkëndija” largohet kështu nga Kategoria e Parë, pas një periudhe të gjatë 9-vjeçare për tu rikthyer për here të fundit në sezonin 1985-86. “Shkëndija” la në kujtesën e futbolldashësve, talentin e madh të futbollistëve të saj, lojërat e tyre të bukura si dhe freskinë që i sollën kampionatit tonë më të rëndësishëm.

332646550_2483779428465474_6982990986623810263_n

Pas mbarimit të shkollës, ata luajtën me shumë sukses me ekipet e Kategorisë së Parë, me Kombëtaren apo dhe me ekipin përfaqësues nën 21 vjeç. Para, në më pak se 15 vite trajnerët e talentuar të përmendur më sipër përgatitën breza shumë të talentuar futbollistësh disa prej të cilëve u bënë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar: Vasillaq Zëri, Astrit Hafizi, Leonidha Çurri, Milto Gurma, Sulejman Mema, Ferid Rragami, Petrit Gjoni, Vladimir Ajazi, Agim Arkaxhiu, Bajram Hushi, Xhorxh Puka, Ilir Luarasi, Gjergji Ballço, Fatmir Paçrami,  Fisnik Kosova, Agron Sulaj, Arjan Hoxha, Agim Bulku, Dashnor Bajaziti, Edmond Gëzdari, Agustin Kola, Mustafa Fagu, Sulejman Starova, Edmond Zalla, Dashamir Gëzdari, Besnik Çela, Halit Gega, Luan Deliu, Petrit Hyseni, Ardian Arra, Pandi Sare, Kristaq Eksarko, Luan Metani, Bashkim Koka, Polikron Sevo, Skënder Hodja, Kristaq Mile, Theodhori Arbëri, Shkëlqim Kurti, Josif Gjergji, Ismail Zinxhiria, Eduard Zhupa, Artan Sako, Edmond Miha, Adriatik Faqekuqi  etj., etj.

332066498_2444598852383351_7585021240688419435_n

Nuk e di nëse kjo mënyrë organizimi do të ishte e pranueshme e do t’i rezistonte kohës së sotme por ishte një model suksesi që mund të na kishte shërbyer. Institucionet drejtuese dhe specialistët e futbollit duhet të kishin gjetur një formë për të projektuar të ardhmen e futbollit të të rinjve si dhe për stërvitjen e futbollistëve të rinj e të talentuar. Modelet nuk mungojnë. Një prej tyre është ai francez, i njohur si (INF) ‘Instituti Kombëtar i Futbollit Clairefontaine’. Një nga qendrat më të njohura të këtij lloji në botë që është marre si model nga shume federata në të gjithë botën. INF është Akademia e federatës franceze të futbollit e ngritur në vitin 1988 dhe e specializuar në stërvitjen e futbollistëve të talentuar francezë. Akademia është një nga qendrat elitare të shpërndara në gjithë territorin francez. Aty janë stërvitur disa nga futbollistët më të talentuar duke përfshirë Nicolas Anelka, Louis Saha, Ëilliam Gallas, golashënuesi më i mirë i kombëtares franceze Thierry Henry si dhe Mbappe. “Akademia -thotë Arsène Ëenger nuk është një vend vetëm për stërvitjen por shërben dhe si një qendër për analizimin e tendencave të zhvillimit të futbollit të së ardhmes, pra dhe një qendër kërkimore”.

332066436_179931688106510_8283017568164761299_n

Ku jemi sot? Përse ekipi i të rinjve është i mbushur me shumë futbollistë të cilët nuk janë stërvitur dhe formuar në Shqipëri por në akademitë e Europës? Për të qenë sa më i qartë, që në fillim dua të them se nuk jam kundër që të thërriten futbollistët më të talentuar që kanë lindur jashtë vendit por gjithnjë mbasi ne të kemi bërë mirë detyrat e shtëpisë. Për këtë arsye, mendoj se në ekipet kombëtare të të rinjve duhet të luajnë kryesisht fëmijët që stërviten në Shqipëri dhe që prindërit paguajnë për formimin e tyre. Të marrim fëmijë dhe të rinj nga jashtë është rruga më e shkurtër për të përgatitur futbollistët e ardhshëm për Kombëtaren por duke dëmtuar futbollin e vendit dhe ndërtimin e të ardhmes afatgjatë të futbollit shqiptar. Ajo çmotivon trajnerët dhe futbollistët e rinj që stërviten në Shqipëri dhe i detyron prindërit t’i largojnë fëmijët e tyre, në moshë shumë të re, për tu stërvitur jashtë vendit duke dëmtuar gjithashtu edhe edukimin e tyre të përgjithshëm.

332101252_1668874813579614_5586053684827493927_n

Aktivizimi në ekipet kombëtare të të rinjve, i fëmijëve të lindur jashtë vendit me prindër shqiptare, jo gjithmonë mund të justifikohet me faktin që janë të talentuar dhe mund ti marrin federatat e vendeve të tyre. Kur të rriten, ata që kanë cilësinë dhe dëshirën për të luajtur për Kombëtaren e kane derën të hapur por një Kombëtare e mbushur me futbolliste që nuk kane lindur dhe nuk janë formuar në Shqipëri nuk tregon nivelin real të futbollit tone. Është një Kombëtare virtuale.

Dua të theksoj se detyra kryesore e një federate kombëtare nuk është kualifikimi i Kombëtares në finalet e një Kampionati Europian apo Botëror por, në radhë të parë, zhvillimi i futbollit kombëtar dhe Kombëtarja duhet të jetë rezultati i kësaj pune.

p.s. Ndjese për emrat e trajnerëve dhe futbollistëve që mund të kem harruar

PANORAMASPORT.AL

*Eduard Dervishaj është ish-sekretari i përgjithshëm i FSHF-së i cili prej më shumë se dy dekadash ka punuar në Federatën Spanjolle të Futbollit sDrejtor i Departamentit Ndërkombëtar dhe Operacioneve, duke qenë edhe delegat i UEFA-s në aktivitetet më të rëndësishme ndërkombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"