33 gola dhe vazhdon, Leva projektohet kapiten te Barça

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2023 | 20:25

33 gola dhe vazhdon, Leva projektohet kapiten te Barça

Robert Levandovski është një nga lojtarët më të rëndësishëm, më të njohur dhe më të vlerësuar të Barçës në mbarë botën.

Leva

Por afrimi i tij nga Barcelona verën e kaluar nuk ishte pa polemika për shkak të moshës së tij. Dy gjëra shkaktonin dyshime në kupolën drejtuese të klubit dhe të tifozëve: mosha 34 vjeç, çmimi me të cilin u mbyll nënshkrimi i tij nga Bajerni i Mynihut (45 milionë euro fikse plus pesë në variablat). Por sulmuesi polak po tregon, me një paraqitje të jashtëzakonshme, se është në formë të shkëlqyer dhe se çdo qindarkë e hedhur për të ia ka vlejtur.

Sulmuesi “blaugrana” është (pavarësisht se është lojtari i dytë më i moshuar në ekip pas Buskets) futbollisti i Barcelonës që ka luajtur më shumë ndeshje si titullar në La Liga në këtë sezon (32) dhe lojtari që ka luajtur më shumë në çdo kompeticion, 42. Dhe shifrat e golave të realizuar prej tij janë gjithashtu të mrekullueshme. Leva është golashënuesi më i mirë i Barcelonës në këtë sezon me 33 gola, nga të cilët 23 në La Liga, 5 në Champions, 1 në Ligën e Europës, 2 në Kupën e Mbretit dhe 2 në Superkupën e Spanjës. 23 golat e tij në La Liga (nga 66 që ka shënuar Barça) kanë qenë thelbësore për arritjen e titullit: 9 nga golat e tij kanë shërbyer për të ndryshuar rezultatin.

Ish-sulmuesi i Bajernit është një nga futbollistët e Barcelonës që ka ende në lojë objektiva të rëndësishëm individualë në këto tri javë që i kanë mbetur për mbylljen e kampionatit. Për momentin është golashënuesi më i mirë në Spanjë në garë me Karim Benzemanë. Veç kësaj, me 23 golat (deri më tani) në La Liga ai po bën debutimin më të mirë në karrierë në sezonin e tij të parë në një klub! Me Dortmundin shënoi 8 gola në sezonin e parë (2010-‘11); me Bajernin në sezonin e tij të parë, atë 2014-‘15 shënoi 17 gola. Për më shumë akoma, Leva është bërë futbollisti i pestë që shënon të paktën 30 gola me Barçën në vitin e tij të parë në klub. Më parë e kishin bërë Krankël, Kuini, Romario dhe Ronaldo.

SHIRITI – Paraqitja e shkëlqyer e Levës që në sezonin e tij të parë pritet të shpërblehet sezonin e ri. Me largimin e treshes Pike-Buskets-Zhordi Alba, trajneri Ksavi Hernandez ka propozuar gradimin e polakut si një ndër katër kapitenët e Barcelonës për sezonin e ri. Dy kapitenët e parë pritet të jenë Serxhi Roberto dhe Mark-Andre Ter Shtegen, ndërkaq, emrat e propozuar nga trajneri i Barcelonës janë dhe Robert Levandovski dhe Ronald Arauho.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"