27-vjeçari tregon si u bë pjesë e ballshiotëve. Ekuadoriani Peralta i jep zemër Bylisit: Titulli është i yni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 18:24

27-vjeçari tregon si u bë pjesë e ballshiotëve. Ekuadoriani Peralta i jep zemër Bylisit: Titulli është i yni

Aleks Peralta zgjodhi që verën e shkuar të largohet nga futbolli i ekuadorian dhe të bëhet pjesë e klubit të Bylisit. Një eksperiencë e re në kulmin e karrierës dhe e para për 27-vjeçarin në Europë. Shumë shpejt ai ka rënë në sy dhe është një nga lojtarët që ka lënë mbresa në Kategorinë e Parë.

aleks peralta bylis

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Aleks Peralta, i cili gjeti edhe golin kundër Korabit në javën e fundit, ka folur për aventurën në Ballsh, të ardhmen dhe dëshirat që ka.

Kush është Aleks Peralta dhe si erdhët te Bylisi?

Unë kam luajtur që në moshë të vogël në vendin tim, Ekuador, madje kam realizuar edhe ëndrrat e fëmijërisë që të luaja në klube të mëdha ekuadoriane. Në vitet e fundit kam luajtur në nivele të larta atje, një futboll që rritej si nivel, ku dilnin edhe talente që më pas shkonin në Europë. Këtë synim kisha dhe unë. Vjet zgjodha të vijoj karrierën në Europë dhe të vija në Shqipëri te Bylisi, në saj edhe të një trajneri shqiptar që ka punuar në Ekuador.

Sezonin e ardhshëm do të luani në elitën e futbollit shqiptar…

Po, e realizuam si objektiv. Kur erdha në verë më bën me dije se po bëhesha pjesë e një skuadre që ka marrë pjesë në Kupat e Europës, por edhe në nivele të larta në Superiore. Tashmë jemi në elitë dhe unë kam synim që të paraqitem shumë mirë edhe aty. Pse jo të jemi në tri skuadrat më të mira të elitës, pasi shkojmë aty me një grup shumë të mirë lojtarësh. Bëmë një sezon pozitiv në Kategorinë e Parë dhe tani dua që edhe këtu të shpallemi kampionë.

Dy gola të realizuar, madje eurogola, dhe disa role të provuara. Së fundmi luajtët para mbrojtjes, ku ndiheni më mirë?

Këtë sezon kam luajtur nga të dy krahët e mbrojtjes, por edhe në mesfushë majtas, si dhe para mbrojtjes. Unë nuk e kam problem, sepse kam eksperiencë, madje njoh mirë çdo skuadër që ne luajmë këtu, si edhe kampionatin. Kam realizuar dy eurogola në Ballsh, i pari me Burrelin dhe i dyti në fundjavën e shkuar me Korabin në stadiumin tonë. Më vjen mirë, por për këtë më kanë ndihmuar dhe përkrahur shumë edhe shokët.

Nëse klubi ju shet në verë në ndonjë ekip tjetër, ku keni dëshirë të vijoni karrierën?

Këtë e di më mirë klubi, unë do të respektoj kontratën që kam. Shpresoj të ketë diçka që jetë në të mirën time dhe të klubit. Unë jam profesionist dhe si i tillë do të sillem çdo moment në këtë klub.

Superioren e siguruat, po titullin do e sillni në Ballsh?

Kam besim se Bylisi do të shpallet kampion, sepse në të dyja ndeshjet që kemi zhvilluar me rivalin direkt (Elbasani) kemi treguar se jemi një skuadër më e fortë dhe më solide. Kam besim se do të jemi ne kampionët në fund të sezonit. Shpresoj shumë që këtë vit ta konkretizoj me trofeun e rëndësishëm.

Keni shëtitur disa qytet në Shqipëri bashkë me shokët e skuadrës, cili vend ju ka tërhequr më shumë?

Në ditët e pushimit jemi disa shokë që lëvizim. Jam kureshtar edhe kur shkojmë në transferta. Më pëlqen Vlora, por edhe Fieri dhe Tirana. Shqipëria ka klimë dhe vende shumë të bukura. Një vend i qetë, ku të huajt nuk ndihen si të tillë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"