27-të La Liga për Barcelonën, Buskets: Mbyllje si në ëndrra, por jo lamtumirë nga futbolli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2023 | 20:45

27-të La Liga për Barcelonën, Buskets: Mbyllje si në ëndrra, por jo lamtumirë nga futbolli

Kapiteni në largim i Barcelonës, Serxho Buskets, përtej paraqitjes dinjitoze në sigurimin e titullit për të tijtë në derbin karshi Espanjolit, e vazhdoi spektaklin edhe në fushën e prononcimeve, kësaj radhe me nota të larta emocionaliteti, aty ku përjetimet e ndryshme me “blaugranat” bënë që mesfushori të fliste me zë të dridhur:vcm,bnb

MESAZHI I BUSKETS MBI LAMTUMIRËN- “Dëshira ishte të largohesha më titullin më të rëndësishëm, atë të La Ligës dhe ia dola të përmbush me sukses këtë mision që ia kisha vendosur vetes. Tej mase i lumtur që aventura ime si lojtar i Barcelonës përfundoi në këtë mënyrë. Shumë përjetime të ndryshme, tituj, rekorde, thjesht fantastike aventura me personat që kam punuar dhe rritur profesionalisht.

Më vjen mirë që janë hedhur themele të forta mbi bazë të kontingjentin aktual nën urdhrat e Ksavit. Të fitosh tituj kërkon shumë mund dhe sakrifica, marrë në konsideratë rritjen e konkurrencës në Spanjë e më gjerë. Nuk do ta harroj kurrë stemën dhe frymën që ka mbizotëruar në tempullin e katalanasve. Lamtumira nuk është termi i përshtatshëm për ecurinë e karrierës sime, u them tifozëve se do të shihemi së shpejti”, përfundoi 34-vjeçari.

Fraza e mësipërme bën të kuptosh se Barcelona nuk do të jetë treni i fundit si futbollist profesionist. Burime pranë kampionëve të rinj në La Liga i japin zë interesimit të ekipeve arabike rreth nënshkrimit me spanjollin. Futbollistit me numër 5 në “Spotify Camp Nou” i përfundon kontrata në verën e sezonit aktual. Ende nuk ka një pistë konkrete se cilat ngjyra do të veshë “regjisori” i Barçës në vitin e ardhshëm.

Është fakt se Buskets e mori vetë vendimin për t’u larguar nga klubi, ku dha shpirtin në fushë në spektrin profesional. Iberikasi i hodhi hapat e parë si katalanas në sezonin 2008-2009, kohë kur grupi i Guardiolës filloi të pushtojë botën me stilin e famshëm të tiki-takës. 34- vjeçari arriti t’i shijonte të gjitha “aromat” e trofeve të ndryshëm me Barçën e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"