22-vjeçari ka shënuar në dy sfidat e fundit dhe beson te mbijetesa. Shurdhiqi: Këtë Besë prisnin të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2024 | 23:47

22-vjeçari ka shënuar në dy sfidat e fundit dhe beson te mbijetesa. Shurdhiqi: Këtë Besë prisnin të gjithë

Besa është rikthyer. Në dy takimet e fundit, skuadra kavajase ka grumbulluar 6 pikë duke mundur dy rivalë direkt në garën e mbijetesës, Luzin dhe Tomorin. Në këto fitore bie në sy paraqitja e sulmuesve, Mustafa Ba dhe Albijon Shurdhiqi.

BESA

Ky i fundit madje i ardhur nga stoli ka ditur të gjejë rrugën e rrjetës. Vetë Shurdhiqi ndihet i lumtur për këtë fakt. “Çdo lojtar duhet të jetë gjithmonë i gatshëm që sa hyn në fushë të justifikojë besimi e trajnerit. Këtë jam munduar të bëj edhe unë, sapo trajneri Bubeqi më ka aktivizuar. Të shënosh në dy takime rresht, madje duke hyrë si zëvendësues, më bën të ndihem mirë. Më shumë se sa golat, më ka kënaqur fakti se Besa është kthyer te fitoret. Nuk do të ishte normale që të vijonim me humbje, madje përtej fitoreve, gjykoj se nuk duhet të kënaqemi aq shumë, pasi më herët kemi gabuar shumë. Nuk kemi bërë asgjë të jashtëzakonshme që të kalojmë në eufori.

Jemi Besa dhe kjo renditje nuk na nderon aspak”, u shpreh fillimisht sulmuesi Shurdhiqi për “Panorama Sport”. Në këtë ndryshim total të lojës dhe efikasitetit të sulmit, Shurdhiqi gjen edhe peshën e trajnerit Bubeqi. Sipas tij, trajneri i thotë gjërat në sy dhe është përherë mbështetës e motivues për secilin lojtar. “Mendoj se erdhi momenti që puna e trajnerit Bubeqi të shpërblehet. Ai ka treguar durim në punën me ne, kur humbëm në takimet e para të kësaj faze. Na e tha që ditën e parë të punës se kërkon mentalitet fituesi dhe besim deri në fund.

Shikoni, mua, Reçicën, Mehmetin dhe lojtarët e rinj që Bubeqi ka ditur të na mbajë të motivuar, përtej faktit se s’kemi qenë titullarë. I njëjti qëndrim edhe me shokët e tjerë, duke na imponuar të besojmë fort te suksesi. Mendoj se në 6 javët e mbetura do të bëjmë maksimumin, pse jo të largohemi nga katër vendet e fundit. Ka mjaft pikë në lojë dhe nëse reagojmë si me Luzin e Tomorin, asgjë nuk na pengon të kapim rivalë që renditen më lart sesa ne”.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"