15 vjet te Pogradeci, besniku Çela: Kam pasur kundër dëmtime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2022 | 20:14

15 vjet te Pogradeci, besniku Çela: Kam pasur kundër dëmtime

Andi Çela është një nga besnikët e Pogradecit. Me përjashtim të një viti që ka luajtur si i huazuar me Gramozin, nuk ka veshur fanellë tjetër përveç asaj të qytetit ku ka lindur. Është 33 vjeç dhe 15 vite të jetës së tij ua ka kushtuar liqenorëve. Dëmtimet e shumta ia kanë vështirësuar karrierën, por kurrë nuk është dorëzuar dhe është kthyer më i fortë. Në një rrëfim për “Panorama Sport”, ai tregon rrugëtimin e tij:

Andi Cela

 

“Pogradeci është pjesa më e bukur e karrierës sime dhe e kam për nder që kam mbrojtur ngjyrat e fanellës së ekipit të vendlindjes. Kam pasur shumë dëmtime gjatë këtij rrugëtimi në futboll dhe ato janë gjithmonë të bezdisshme… Edhe pse kanë qenë të rënda, nuk e kam humbur kurrë durimin. Në këto momente ndihem shumë në formë dhe i gatshëm për ekipin në çdo situatë”. Mesfushori ndalet edhe tek Apolonia, ndërsa evidenton gabimet e bëra.

“Mungesa e përqendrimit në goditjet e dënimit bëri që ne të ndëshkoheshim dy herë. Luajtëm mirë dhe krijuam raste të pastra në pjesën e parë. Nëse Vieira do të ishte treguar pak më i shkathët, do kishte dalë te goli. Por para portës çdo lojtar ka emocionet e veta dhe nuk mund të fajësojmë më kot”. Nuk mund të mos ndalej te fundi i kësaj gare dhe mbi të gjitha 90-minutëshi i kësaj të shtune. “Për Shkumbinin më vjen shumë keq, pasi është një ekip me traditë dhe nuk e meriton këtë pozicion, por ne luajmë vetëm për fitore dhe nuk llogarisim asnjë rezultat tjetër.

Ndeshjet duhen marrë me radhë dhe qetësi, ndaj të kalojmë këtë njëherë. Edhe pse e kam një besim në vetvete se do të marrim pikët maksimale nga këto 360 minuta që kanë mbetur. Në qoftë se nuk ka aleanca midis skuadrave të tjera, vendi i 10-të është i arritshëm 100%. Sido që të shkojnë punët, me dhe pa ‘play out’, Pogradeci do të qëndrojë në Kategorinë e Parë. Këtë e them me bindje të plotë”, përfundoi 33-vjeçari.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"