12 minuta analizë tek Apolonia, trajneri Mërgjyshi i mërzitur nga humbja e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2024 | 17:46

12 minuta analizë tek Apolonia, trajneri Mërgjyshi i mërzitur nga humbja e fundit

Humbja me Elbasanin është konsideruar në kampin fierak thjesht si një ndjesi e keqe, që u përcoll vetëm nga rezultati final. Sa i përket lojës, elbasanasit ishin dominues dhe menaxhuan shumë mirë takimin. Në kushte të tilla, një sfidë e humbur në atë mënyrë lë njëfarë hidhërimi në skuadër.

apolonia

Hidhërim, që të gjithë janë duke u munduar ta kthejnë në forcë për të reaguar direkt. Menjëherë pas këtij takimi fierakët kanë nisur punën për të përgatitur ndeshjen e radhës dhe për të rikthyer ekipin “me këmbë në tokë”, kur mbeten edhe katër javë nga fundi. Apolonia zhvilloi gjatë paradite së djeshme stërvitjen e parë në funksion të derbit me Bylisin. Lojtarët zbarkuan në aneksin e stadiumit rreth orës 10:15, 15 minuta para orarit të vendosur për  stërvitjen. Bashkë me ta ndodhej edhe trajneri Mërgjyshi, i cili i la të lirë për disa minuta.

Lojtarët u ndanë vetë në disa grupe dhe kryesisht zhvilluan lojëra, ku testonin njëri-tjetrin me kontrollin e topit apo mbajtjen sa më gjatë pa prekur tokën. Me sinjalizimin e trajnerit, të gjithë lënë angazhimet e tyre dhe afrohen në formë rrethi në qendër. Artan Mërgjyshi organizoi një mbledhje që zgjati 12 minuta, në të cilën ka dashur të rregullojë shumëçka nga takimi i fundit i humbur, ndaj edhe për këtë gjithçka ka nisur me një analizë të detajuar. Edhe pse e shprehu qartë mërzinë, menjëherë pas ndeshjes me Elbasanin, numri një i pankinës fierake nuk ka hezituar për t’i folur hapur dhe në sy të tijve në lidhje me atë që ka parë në fushën e lojës. Kritika dhe këshillime për çdo repart, kjo ka qenë tema kryesore në mbledhjen e kryepankinës fierake me ekipin e tij.

Pjesa e parë e seancës së djeshme u drejtua nga përgatitësi atletik. Më pas, trajneri Mërgjyshi e ndau skuadrën në tri grupe dhe misioni ishte që me duar të lidhura së bashku në formë qarku, ta mbanin topin në ajër duke ecur pa u ndarë për rreth 30 metra dhe më pas ta fusnin në një nga 3 koshat në vijat anësore të fushës. Kjo pjesë e stërvitjes ishte më e elektrizuara dhe lojtarët shfaqën më shumë grintë. Në fund të kësaj loje, skuadra humbëse u desh të kalonte në tunelin e shuplakave. Më pas, Mërgjyshi urdhëroi afrimin e dy portave dhe nisi lojërat në funksion të skemave tekniko-taktike për ndeshjen me Bylisin.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"