ZYRTARE/ Triumfi i pestë radhazi, PSG shpallet kampion i Francës
PSG ka siguruar titullin e pestë radhazi në Ligue 1, për herë të parë në historinë e klubit, pas fitores 2-0 ndaj Lensit në “Stade Bollaert-Delelis”, në duelin direkt me ndjekësit më të afërt.

Ndeshja ishte e shoqëruar me polemika që para fillimit, pasi Lens kishte shfaqur pakënaqësi për shtyrjen e mëparshme të përballjes, e cila i dha PSG-së më shumë kohë për t’u përgatitur për ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Ligës së Kampionëve ndaj Liverpulit.
Momenti kyç i pjesës së parë i takoi PSG-së. Dembele ndërhyri në mesfushë, ia mori topin Malang Sarr-it dhe e shërbeu Kvaratskhelian, i cili realizoi me një goditje të saktë me të djathtën, duke e dërguar topin në rrjetë për 1-0. Lens nuk u dorëzua dhe e kërkoi barazimin deri në pushim, por pa sukses.
Kur Lens nuk po e shfrytëzonte dominimin dhe rastet, PSG tregoi cinizmin tipik të kampionëve. Në kohën shtesë, Ibrahim Mbaje lëshoi një goditje të fuqishme që përfundoi përtej portierit Robin Riser, duke vulosur fitoren 2-0 dhe titullin e 14-të në elitën e futbollit francez.
PANORAMASPORT.AL













