Vujnoviç & CO, afrimet “e padukshme” të Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2025 | 21:41

Vujnoviç & CO, afrimet “e padukshme” të Partizanit

Në muajin janar, Partizanit iu desh të bënte një merkato me shumë emra, pasi bëri shitje të rëndësishme dhe në skuadër u hapën boshllëqe të rëndësishme. Drejtuesit vendosën për afrime shumta, kryesisht nga tregu i huaj, ku një prej emrave më të bujshëm ishte Nikola Vujnoviç.

PARTIZANIII FESTA LOJTARET

Sulmuesi malazez vinte si lojtar i kombëtares së tij dhe me një “bagazh” të rëndësishëm në karrierë. Te Partizani prisnin që ai të bënte diçka për të mbuluar hapësirën e lënë bosh nga të larguarit, por në realitet nuk ndodhi asgjë. Zbritja e fundit e Vujnoviç në fushë daton më 27 mars kundër Dinamos, teksa në total ka luajtur në vetëm gjashtë ndeshje, duke koleksionuar vetëm 190 minuta në Kategorinë Superiore.

Padyshim një investim i çuar dëm nga ana e klubit për 28-vjeçarin, i cili nga burime jozyrtare pranë klubit flitet se paguhet me një pagë mujore prej 5.5-6 mijë eurosh dhe ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. Nisur edhe nga paga e lartë, me siguri në klub do të përpiqen të negociojnë ndarjen menjëherë pas “Final 4”.

ÇIPI – Kur u prezantua, plani ishte që ai t’i ndihmonte ekipit të parë, por Maeto Çipin nuk e kemi parë të zbresë në fushë me ekipin e parë në asnjë moment.

I ardhur nën hijen e rëndë të asaj që babai i tij, Geri Çipi, ka treguar në të shkuarën, Mateo duket se nuk ka arritur të superojë sa duhet dhe nuk ka arritur të bindë asnjë prej trajnerëve të kuq për t’i dhënë të paktën shansin e debutimit me fanellën e ekipit të parë.

Që nga janari mbrojtësi është angazhuar vetëm me Partizanin B. Ai ka kontratë deri në 2029-ën dhe mbetet të shihet nëse palët do të dakordësojnë ndarjen apo bashkëpunimi do të vazhdojë.

AFRIKANËT – Mintongo (Kamerun) dhe Ogunleje (Nigeri) ishin dy lojtarët e ardhur për të shkuar në gjurmët e emrave si Maget apo Matondo, por nuk rezulton aspak kështu.

Kamerunasi i ardhur në verë ka arritur të debutojë në ekipin e parë, por pa dhënë atë që pritej. Nga ana tjetër, Ogunleje erdhi në janar, por nuk është preferuar ende nga trajnerët e kuq, pasi nuk ka treguar nivelin që pritej.

PANORAMASPORT.AL