Vora në Superiore, Bardhi: E nisa me Tiranën, kjo ndeshje historike
Vora i ka dhënë fund stërvitjeve me seancën e djeshme, në kuadër të përgatitjes së skuadrës për ndeshjen kundër Tiranës. Skuadra që erdhi në Superiore si debutuese kërkon të lërë gjurmë për të marrë pikët e para. E nëse me Partizanin nuk qe me fat, këtë herë ndaj Tiranës shanset janë më të mëdha, ndoshta edhe për fitore. Tashmë lojtarët janë njohur me sfidën e parë elitare dhe deri diku u është larguar ai stres i ndeshjes së parë zyrtare në elitë.

PATRIK BARDHI – futbollisti që u formua në Akademinë e Tiranës, e konsideron si një ndeshje të veçantë atë kundër bardhebluve në Laç. Pasi ai do të jetë kundërshtar ndaj klubit ku mori profesionalizmin si futbollist, që nga moshat U-19 deri te ekipi i parë i Tiranës. Kujtimet e tij janë të mrekullueshme me këtë klub dhe, edhe pse nuk ia bën zemra të luajë kundër Tiranës, dëshira nuk është në maksimum. Por profesionistët kështu e kanë: duhet t’i shërbejnë skuadrës ku luajnë.
Pas eksperiencës me Tiranën, Kastriotin dhe Dinamon, tashmë ai është pjesë e Vorës, ku zhvillon sezonin e dytë. Futbollisti, që e ka provuar elitën, lidhur me takimin e radhës kundër Tiranës shprehet: “Te Vora ndihem mirë, jam pranë kryeqytetit. Kundër Tiranës do të jetë një ndeshje e veçantë, pasi këtu u linda, u formova dhe u bëra profesionist dhe gëzoj respekt pa fund për këtë klub legjendar. Futbolli është bërë profesionist dhe ne lojtarët japim gjithçka për çdo ekip ku luajmë. Kështu që edhe unë kërkoj të jap maksimumin kundër Tiranës. Sigurisht do të dëshironim të merrnim edhe pikët e para në Superiore. Ndoshta zemra nuk ma bën që të mund Tiranën, por ne na duhen pikët e para për të hequr syrin e keq. Vora ka bërë goditjet e duhura për të arritur synimet që kemi këtë sezon.”
MUNGESAT – Vora do të ketë dy mungesa shumë të rëndësishme në këtë takim. Do t’i mungojnë dy pika kyçe të ekipit si Ruzgis dhe Hasaj, që do të jenë jashtë për afro 6 javë. Ndërsa Ruzgis i është nënshtruar trajtimit, por ende nuk ka dalë në fushë për t’u stërvitur. Hasaj, pas ekzaminimeve të stafit mjekësor, ka pësuar dëmtim të ligamentit (ACL) dhe periudha e rikuperimit pritet të zgjasë rreth 6 muaj, çka i kushton më shumë se gjysmën e kampionatit.
Lojtari do të ndjekë të gjitha procedurat rehabilituese nën kujdesin e stafit mjekësor të klubit, i përbërë nga dy mjekë të shkëlqyer e profesionistë. Gjithsesi, Francesco Hasaj duket i pafat, pasi këtë vit humbi edhe babain nga një sëmundje. Kujtojmë se një vit më parë të njëjtin dëmtim pësoi edhe sulmuesi i djathtë, nigeriani 23- vjeçar Nuredeen Idris, duke qëndruar gati një vit pa luajtur për shkak të dëmtimit të pësuar në ndeshjen e dytë të kampionatit të kaluar.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













