Volejbollistja shqiptare shkruan historinë, Erblira Bici fiton Challenge Cup me Magabox dhe shpallet MVP e finales
Erblira Bici ka shkruar historinë me skuadrën e saj Megabox Vallefoglia, duke fituar “Challenge Cup” të Europës për sezonin 2025-2026 në volejbollin e femrave. Ndonëse Megabox e kishte përvojën e saj të parë në arenën Europiane, e udhëhequr nga e jashtëzakonshmja Bici në parket dhe nga trajneri Andrea Pistola në stol, skuadra italiane mposhti në finale greket e Panathinakosit.

Pasi kishte fituar 3-2 në ndeshjen e parë në Itali, Megabox u konfirmua edhe në sfidën e kthimit që u zhvillua dje në Athinë. Këtë herë suksesi ishte edhe më bindës dhe erdhi në shifrat e pastra 0-3, duke triumfuar para 3500 spektatorëve në sallën e Athinës. Megabox Vallefoglias i mjaftonte një fitore me çdo rezultat për të siguruar trofeun, ndërsa greket, të drejtuara nga trajneri italian Alessandro Chiappini, duhej të fitonin 3-0 ose 3-1, në rast të një rezultati 3-2, fituesi do të vendosej me “Golden Set” deri në 15 pikë. Por asnjë nga këta skenarë nuk ndodhi, pasi Megabox dominoi me një 0-3 të pastër (20-25, 25-27, 16-25), falë një paraqitjeje të shkëlqyer.
Për Megabox Vallefoglia ky është, natyrisht, suksesi i parë europian… dhe çfarë suksesi! Protagoniste absolute ishte volejbollistja shqiptare, Erblira Bici, e cila meritoi çmimin MVP, duke e mbyllur ndeshjen me 23 pikë dhe 3 blloqe, për qenë edhe realizuesja më e mirë e kompeticionit.
NDESHJA Që në fillim të setit të parë u duk qartë diferenca në parket, me miket që shkuan në rezultatin 7-13, teksa Megabox tregoi epërsinë e saj. Megjithatë, Panathinaikos reagoi dhe u afrua në -2 (11-13). Skuadra vendase pati disa mundësi për t’u afruar edhe më shumë, por blloku i Bicit për 16-19 detyroi trajnerin vendas të kërkonte pushimin e dytë teknik. Vallefoglia vazhdoi të ishte solide në mbrojtje dhe krijoi një tjetër avantazh prej +5 (16-21). “Set-point”-i i parë erdhi në 20-24 me Bicin (6 pikë personale në këtë set), fraksion që u mbyll 20-25 pas një gabimi të Panathinaikosit. Seti i dytë nisi më mirë për vendaset, që kaluan në avantazh 3-1 dhe e thelluan diferencën në 6-2 dhe më pas 9-3. Në 11-3, pankina e Vallefoglias kërkoi ndërprerjen e dytë. Megabox reagoi dhe u afrua në 13-8, që më pas shifrat shkuan në 14-11. Loja u bë më e ekuilibruar (17-13), por gradualisht diferenca u ngushtua deri në 17-15. Panathinaikos arriti i pari në kuotën 20 (20-16), por Vallefoglia barazoi 20-20 dhe kaloi përpara 20-21, falë një serie të gjatë shërbimesh nga Lazaro.

Skuadra vendase reagoi (23- 21), por De Bortoli në mbrojtje dhe Bici në sulm barazuan 23-23. Pas disa “set-point”-esh të shpërdoruar nga të dyja palët, blloku i Butigan vulosi setin në 25-27 për Megabox. Seti i tretë nisi i barabartë (6- 6, 10-10), derisa një seri pikësh e çoi rezultatin në 10-14 për Vallefoglian. Skuadra italiane vazhdoi të shtonte presionin dhe shkoi në 12-19. Panathinaikos nuk arriti më të reagojë, ndërsa diferenca u rrit deri në +10 (13-23), me Bicin dhe Giovanninin në plan të parë. “Match-point”-i i parë erdhi në 14-24, por u anulua, ashtu si i dyti. I treti u realizua nga Erblira Bici, duke mbyllur përfundimisht setin në 16-25 dhe të gjithë sfidën në 0-3, për t’i lënë vend festës së skuadrës italiane.
E themeluar mes viteve 2019 dhe 2020, Megabox Vallefoglia ka bërë hapa të shpejtë, duke siguruar ngjitjen në Serie A1 që në përpjekjen e parë në vitin 2021 dhe më pas duke zhvilluar pesë sezone në rritje në elitën italiane. Në rrugëtimin europian, Vallefoglia eliminoi AEK Athinën, Fatum Nyiregyhaza, Emalsa Gran Canaria dhe KHG Kaposvari. Për volejbollin italian, ky sukses është i pesti radhazi në këtë kompeticion dhe i 27-ti në total. Ndërkohë Shqipëria edhe një herë tjetër krenohet me Erblira Bicin, e cila iu gëzua vlerësimit MVP, ndërsa ngriti lart trofeun e dytë madhor në Europë, pas “Champions”-it në vitin 2019 me Novarën, por këtë herë suksesi ka një shije edhe më të bukur për volejbollisten nga Gramshi, pasi vjen si protagoniste absolute, jo vetëm e finaleve, por e të gjithë kompeticionit.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













