VOLEJBOLL/ Tirana super, “shtrin” Pogradecin në finalen 1. Vajzat bardheblu godasin në transfertë
Finalet “play off” të Superligës së volejbollit për femra kanë nisur nën shenjën e Tiranës. Vajzat bardheblu e kanë filluar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar raundin e parë në transfertë kundër Pogradecit.

Skuadra e Adrian Gorencës bëri goditjen në sallën “Arefi Berberi” duke i shtangur liqenoret me rezultatin 1-3 pas një përballjeje që zgjati 2 orë. Një provë force nga kampionet në fuqi, të cilat u shkaktuan humbjen e parë sezonale pogradecareve. Siç pritej, takimi nisi i zjarrtë, me Pogradecin të mbështetur fuqishëm nga publiku vendës. Skuadra e Besnik Lishës e pa vetën deri në +4 pikë në setin e parë, duke kryesuar 18-14.
Më pas erdhi reagimi i mikeve, të cilat rikuperua nme dyshen Malaj-Braho, ndërsa në fund Kokmaz shënoi pikën e setit, duke fiksuar shifrat 22-25. I ngjashëm ishte edhe seti i dytë, me vendëset që shkuan deri në +5 pikë, por nuk mundën të mbanin deri në fund të njëjtin ritëm. Tirana përmbysi, ndërsa Braho me “ace” vulosi shifrat 23-25. I treti nisi më mirë për bardheblutë, të cilat shkuan deri në 6 pikë përpara, por liqenoret u rikthyen në lojë dhe ia dolën të rikuperonin, duke e marrë setin 25-21. Në të katërtin loja nisi me rivalitet, por gradalisht Tirana vendosi distancat, ndërsa Kokmaz ishte protagonistja e “match point”-it, duke vulosur setin 18-25 dhe finalen e parë 1-3 për kryeqytetaset.
Martha Garcia me 16 pikë, Enkeleda Braho me 15 dhe Sara Malaj me 13 udhëhoqën ofensivën bardheblu, ndërsa për vendëset rendientin më të lartë në sulm e kishte Kennedy Stanford, autore e 17 pikëve, mbështetur nga Paola Gjata me 14. Të premten në orën 18:00 do të jetë radha e finales së dytë në Farkë, me titullin që siç dihet vendoset me 3 fitore.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













