VOLEJBOLL/ Thriller me 5 sete, Partizani eliminon me përmbysje Erzenin
Pas tri takimesh dhe 15 setesh kundër Erzenit në gjysmëfinale, Partizani ka arritur që të presë biletën që të çon në finalen e kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj.
Të kuqtë e Ylli Tomorrit fituan dje me rezultatin 3-2 takimin e tretë “play off” ndaj shijakasve, pas një tjetër sfide shumë emocionuese që zgjati 2 orë e gjysmë, duke kompletuar përmbysjen e madhe, pas humbjes së pësuar në ndeshjen e parë. Ashtu sikurse pritej, takimi i luajtur në Farkë ishte elektrizues, me trajnerin Tomorri që startoi sërish me formacion tërësisht shqiptar. Erzeni e filloi në mënyrë të shkëlqyer, duke marrë setin e parë 23-25.
Betejë e fortë kishte edhe në të dytin, me kryeqytetasit që reaguan, duke fituar 25-22. Kampionët në fuqi dominuan në të tretin, ku fituan bindshëm 25-17, duke kaluar përpara 2-1 me sete. Megjithatë miqtë nuk dorëzuan dhe nisën ofensivën për të rikuperuar, duke u shpërblyer në setin e katërt, të cilin skuadra e Parit Uruçit e mori 23-25. Kështu gjithçka u vendos me set final, aty ku Partizani ishte gjithnjë përpara, për të fituar 15-13.
Ashtu sikurse ndodhi në takimin e dytë në Fllakë, tjetër performcë fantastike nga vëllezërit Martiro, të cilët ishin shënuesit më të mirë për të kuqtë, me Ledionin që këtë herë realizoi 20 pikë, ndërsa Kristi 19. Për Erzenin nuk mjatuan 29 pikët nga Matheus Gomes, ndërsa Max Senica realizoi 23, me shijakasit që mbyllin këtu një kampionat për duartrokitje, sidomos në gjysmën e dytë të sezonit. Tashmë do të jetë radha për finalet, të cilat ashtu sikurse në sezonin e kaluar do të jenë mes Partizanit dhe Skënderbeut.
PANORAMASPORT.AL













