VOLEJBOLL/ “Play off”-i, Dinamo dhe Skënderbeu e fillojnë me fitore
Superliga e volejbollit për vajza ka nisur dje “play off”-in me dy ndeshjet e para, takime që u buzëqeshën skuadrave vendëse, pasi si Dinamo, gjithashtu edhe Skënderbeu siguruan fitore në raundin e parë me rezultatin e njëjtë 3-1.
DINAMO-TEUTA Në sallën e Farkës zbritën për të matur forcat Dinamo dhe Teuta, skuadra që dhuruan një përballje interesante. Sfida nisi e luftuar nga të dyja kampet, me setin e parë që prodhoi rivalitet të lartë. Teuta krijoi epërsi deri në 4 pikë, duke kaluar në 10- 14, ndërsa Dinamo përmbysi në 18-17. Durrsaket u treguan më të sakta në momentet finale, ndërsa me një bllok fitues në fund të Romina Allamanit e morën fraksonin e parë 21-25. Bregdetaret e nisën edhe setin e dytë duke krijuar epërsi të lehtë në pikë, por më pas Dinamo mori kontrollin e lojës, për ta fituar setin 25-18, me pikën e fundit nga Sonia Sulejmani, për të vendosur ekuilibrat 1-1. I treti filloi më mirë për Dinamon, por Teuta u rikthye në lojë, duke kaluar përpara 11-12. Më tej takimi foli për dinamovitet, të cilat krijuan diferencë qetësie, duke e marrë setin 25-19, për të kaluar në avanatazh 2-1 me sete. Durrsaket kërkuan të reagonin dhe ia dolën fillimisht, pasi shkuan deri në 12-17 në setin e katërt, por skuadra e trajnerit Edmond Jazexhi nuk mundi të mbante të njëjtin ritëm. Dinamo u rikthye fuqishëm dhe i përmbysi shifrat, ndërsa protagoniste e “match point”-it ishte Akacia Brown, e cila fiksoi shifrat e setit 25-20 dhe të gjithë sfidës 3-1. Ishte pikërisht Brown edhe shënuesja më e mirë e ndeshjes, protagoniste me 25 pikë, mbështetur nga Sonia Sulejmani me 18 dhe Emi Bregu me 15, ndërsa Anastasia Atepalina e mbylli me 11 pikë të realizuara për ekipin që drejtohet nga Kliton Dodaj. Në radhët e Teutës shënuesja më e mirë ishte kapitenia Romina Allamani, autore e 22 pikëve.

SKËNDERBEU-PARTIZANI Korçaret nuk falën në shtëpi, duke likuiduar Partizanin në raundin e parë “play off”. Një ndeshje e bukur, me të dyja skuadrat që kërkuan fitoren, por Skënderbeu tregoi se kishte diçka më tepër, për të merituar suksesin në shifrat 3-1. Vendëset morën setin e parë 25-21, ndërsa të kuqet vendosën baraspeshën, duke fituar të dytin 20- 25. Më pas vajzat e Skënderbeut u treguan superiore, duke marrë bindshëm dy setet e radhës, 25-16 dhe 25-18, për ta mbylluar festë ndeshjen e parë “play off”. Izabela Da Silva me 22 pikë dhe Ester Ribeiro me 17 ishin lojaret më profilike në sulmin korçar, ndërsa për Partizanin nuk mjaftoi Xhovana Kaçorri, e cila realizoi 19 pikë.

Më 5 prill do të jetë radha për ndeshjen e kthimit në Tiranë, takim që do të luhet në orën 18:00 në “Asllan Rusi”, ndërsa sfida e dytë para “play off” mes Dinamos dhe Teutës do të luhet më 6 prill në orën 14:00 në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













