Volejboll/ Ndizet “play off”-i, Pogradeci dhe Tirana afrohen me finalen
Pogradeci dhe Tirana e kanë filluar në mënyrën më të mirë fazën “play off” në Superligën e volejbollit të femrave. Pasi e kishin mbyllur sezonin e rregullt përkatësisht në vendin e parë dhe të dytë, vajzat liqenore dhe ato bardheblu kanë kaluar me sukses ndeshjet e para gjysmëfinale. Pogradeci fitoi me rezultatin 3-0 kundër Skënderbeut në sallën sportive “Arefi Berberi”, ndërsa Tirana mposhti Dinamon 3-2 në takimin e luajtur në Farkë.

POGRADECI-SKËNDERBEU – Seria e gjysmëfinaleve u hap të shtunën me derbin e juglindjes mes Pogradecit dhe Skënderbeut. Liqenoret nuk falën para publikut të tyre, duke e likuiduar skuadrën korçare pastër 3- 0, pas një takimi që zgjati 88 minuta. Ekipet luftuan fort në setin e parë, fraksion që u mbyll ngushtë 25-23. Në të dytin epërsia e Pogradecit ishte e madhe, e përkthyer në shifrat 25-11. Më tej, vendëset morën edhe setin e tretë 25-23 me pikën finale të Kejda Kodrës, duke e nisur kështu mbarë “play off”-in. Kennedy Stanford me 15 pikë, Kejda Kodra (12 pikë) dhe Valentina Mota (10 pikë) ishin lojtaret që spikatën në ofensivën e skuadrës së Besnik Lishës, ndërsa te Skënderbeu shënueset më të mira ishin Irsa Metanj dhe Izabela Da Silva, me nga 11 pikë secila. Në fund, përveç gëzimit të fitores, vajzat e Pogradecit patën një tjetër festë në parket, atë të datëlindjes së Stela Agollit, e cila mori një tortë nga shoqet e ekipit me rastin e 28-vjetorit.
TIRANA-DINAMO – U deshën pesë sete dhe 2 orë e 20 minuta lojë për të përcaktuar fituesin e betejës së parë gjysmëfinale ndërmjet Tiranës dhe Dinamos. Në fund ato që festuan suksesin në derbin “play off” ishin vajzat bardheblu, të cilat triumfuan me rezultatin 3-2 në përballjen e luajtur dje në Farkë. Një takim që nisi më mirë për ekipin dinamovit, fitues në setin e parë 20-25. I dyti foli për skuadrën e Adrian Gorencës, me Tiranën që fitoi me pikë shtesë 26-24. Kampionet në fuqi kaluan përpara, teksa morën edhe setin e tretë 25-21, por me të njëjtat shifra u kundërpërgjigj Dinamo në të katërtin, duke e çuar kështu takimin me set final. Fraksioni i pestë nuk kishte histori, pasi Tirana u tregua superiore, me Enkeleda Brahon që stampoi topin e pikës së ndeshjes, duke vulosur setin 15-11 dhe të gjithë takimin 3-2. Me 21 pikë të realizuara, edhe një herë tjetër ishte Braho protagonistja e madhe e suksesit të Tiranës, mbështetur në sulm nga Sara Malaj dhe Luljeta Strërmilla me nga 12 pikë secila, ndërsa Martha Garcia dhe Simge Kokmaz shënuan nga 11 pikë. Për Dinamon, Akacia Brown e mbylli me 20 pikë, ndërsa Sonia Sulejmani dhe Anastasia Atepalina shënuan nga 18 secila. Më 15 prill do të jetë radha e gjysmëfinaleve të dyta, me Pogradecin dhe Tiranën që janë vetëm një fitore larg kualifikimit për në finale.



ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













