VOLEJBOLL MESHKUJ/ Tirana tregon forcën në Shkodër, Erzeni leksion Studentit
Kampionati kombëtar i volejbollit për meshkuj ka kompletuar dje javën e 12-të me dy takime të zhvilluara në Shkodër dhe Tiranë, përballje që u mbyllën me fitore të skuadrave udhëtuese.
Tirana kaloi me rezultatin 1-3 kundër Vllaznisë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, ndërsa Erzeni bëri goditjen në kryeqytet, duke mposhtur pastër Studentin në sallën “Feti Borova”. Duke e nisur nga suksesi i bardhebluve, skuadra e Arben Sakos vijon momentin e artë, teksa pasi ngriti lart Kupën, tashmë merr 3 pikë edhe në kampionat ndaj një rivali direkt për vendin e dytë. Ndeshja në Shkodër ishte e bukur dhe me rivalitet, me setin e e parë që u vendos me pikë shtesë, 24-26 për miqtë. I dyti ishte një maratonë e vërtetë, me një seri të jashtëzakonshme piëksh shtesë, ndërsa një bllok fitues në fund nga Jula u dhuroi setin shkodranëve në shifrat 37-35.
Tirana e frenoi entuziazmin e vendësve, teksa rikaloi përpara duke fituar setin e tretë 23-25, ndërsa i mbylli llogaritë për të fituar edhe të katërtin 21-25. Kështu, pas 2 orë e 22 minutave lojë gjithçka u mbyll me festën e kryeqytetasve. Collozo me 26 pikë dhe Aguirre me 24 ishin lojtarët që udhëhoqën Tiranën, ndërsa për Vllazninë nuk mjaftoi Sierra, autor i 30 pikëve. Fitore të rëndësishme shënoi edhe Erzeni, me shijakasit që mposhtën Studentin në shifrat 0-3 (23- 25, 20-25, 19-25), përballje që zgjati 1 orë e 25 minuta.
Një takim i menxhuar më mirë nga miqtë, të cilët kanë patur një përmirësim të madh në fazën e dytë të kampionatit. Te Erzeni u dalluan Gomes me 17 pikë dhe Quesada me 14, ndërsa për Studentin shënuesi më i mirë ishte Fernandes, autor i 17 pikëve. Në takimin hapës të javës, Partizani mundi Elbasanin me 3 sete, sfidë e luajtur më 12 mars.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













