VOLEJBOLL MESHKUJ/ Partizani afrohet me titullin, mposht Skënderbeun në Farkë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2026 | 16:26

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Partizani afrohet me titullin, mposht Skënderbeun në Farkë

Finalja e parë “play off” në kampionatin kombëtar të volejbollit për meshkuj ka shkuar për Partizanin. Të kuqtë fituan raundin e parë kundër Skënderbeut me rezultatin 3-1, takim i zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Farkë. Skuadra e Ylli Tomorrit i mbylli llogaritë në harkun kohor të 1 ore e 44 minutave, duke marrë një sukses që i afron me titullin kampion, i cili do të ishte i treti radhazi për kryeqytetasit.

partizani volejboll

NDESHJA – Seti i pari nisi me një epërsi të lehtë të Skënderbeut, por më pas Partizani arriti të reagonte, ndërsa spikatën disa blloqe radhazi fituese nga vëllezërit Martiro dhe Leonardo Doda, duke bërë që të kuqtë të kalonin përpara. Seti i parë u mbyll 25-20 për të zotët e shtëpisë, me pikën e fundit nga Rodriguez Pabon. I dyti pa Partizani fillimisht në epërsi, duke shkuar deri në +5 pikë (14-9), ndërsa më pas korçarët e Arben Priftit rikuperuan, për të fituar 23-25, me pikën finale të Emanuel Drizës.

Seti tretë foli vetëm për Partizanin, me të kuqtë që bënë çfarë deshën në parket, duke fituar thellë 25- 12. Edhe i katërti u karakterizua nga dominimi i kuq, me vendësit që triumfuan sërish thellë, ketë herë 25-16, ndërsa Emico Goetz ishte autori i “match point”-it, duke vulosur finalen e parë në shifrat 3-1 për Partizanin.

fdfdsfdsfdsfddsf

Osman Qepa me 14 pikë, Krist Martiro me 12 dhe Rodriguez me 11 ishin lojtarët që mbërritën në dopioshifër pikësh në kampin e kuq. Në radhët e korçarëve nuk mjaftuan meksikani Sanay Heredia, autor i 26 pikëve, ndërsa Driza regjistroi 15 pikë. Të shtunën do të jetë radha për finalen e dytë në Korçë, takim që starton në orën 18:00.

Për sa i përket formatit, titulli kampion shkon për ekipin që mbërrin i pari në kuotën e 3 fitoreve. Nesër do të jetë radha për finalen e dytë “play off” në radhët femrave, përballje ndërmjet Tiranës dhe Pogradecit, takim që do të luhet në orën 18:00 në Farkë. Vajzat bardheblu kanë fituar sfidën e parë në qytetin liqenor me rezultatin 3-1.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL