VOLEJBOLL MESHKUJ/ Leksion me 3 sete në shtëpi, Skënderbeu parakalon Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2026 | 12:42

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Leksion me 3 sete në shtëpi, Skënderbeu parakalon Tiranën

Java e dhjetë e kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj është kompletuar të shtunën me ndeshjen ndërmjet Skënderbeut dhe Tiranës.9

Korçarët triumfuan me rezultatin e pastër 3-0 pas një takimi që zgjati 1 orë e 27 minuta, duke e mbyllur me festë përpara publikut të tyre në sallën “Qyteza e Fëmijëve”. Megjithatë, edhe pse me rezultat të pastër, takimi dhuroi rivalitet, ndërsa setet u mbyllën me diferenca jo të mëdha në pikë. Pas një epërsie fillestare nga Tirana në setin e parë, vendësit përmbysën dhe e kontrolluan lojën, ndërsa Emanuel Driza fiksoi shifrat 25-22.

Në setin e dytë rivaliteti ishte edhe më i fortë, me të dyja ekipet që luftonin me ngulm në çdo pikë, set që u zgjidh me pikë shtesë, 26-24 për korçarët, teksa Sanay Heredia shënoi pikën finale me “ace”. Në setin tretë skuadra korçare e trajnerit Arben Prifti u shfaq dominuese në parket, duke mos e diskuar për asnjë moment rezultatin, ndërsa me një bllok fitues, Emenuel Driza ishte protagonisti i “match point”-it, duke vulosur setin 25-20 dhe të gjithë përballjen 3-0. Me këtë fitore Skënderbeu ngjitet në vendin e tretë, duke parakaluar në renditjen bardheblutë e Arben Sakos.

Sanay Heredia me 18 pikë, Caylor Cox me 11 dhe Emanuel Driza me 10, ishin lojtarët që udhëhoqën ofensivën korçare. Për Tiranën në dopioshifër pikësh mbërriti vetëm Isaias Aguirre, autor i 13 pikëve. Në ndeshjet e tjera të kësaj jave, takime që u zhvilluan të premten, u shënuan këto rezultate: Studenti-Vllaznia 2-3 dhe Elbasani-Erzeni 0-3.

35

PANORAMASPORT.AL