VOLEJBOLL MESHKUJ/ Festë bardheblu në Kupë, Tirana befason Partizanin
Tirana është fituese e Kupës së Shqipërisë 2025-2026 në volejboll për meshkuj. Ndonëse nuk futeshin me statusin e favoritëve në finale, bardheblutë zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer kundër Partizanit, duke i mundur bindshëm rivalët e qytetit me rezultatin 3-1 në sfidën e zhvilluar dje në sallën e Farkës.

Siç edhe pritej, derbi që vendoste trofeun e dytë më të rëndësishëm në arenën kombëtare dhuroi emocione që nga pika e parë. Skuadra e Arben Sakos tregoi që në fillim “dhëmbët”, duke qenë gjatë gjithë kohës përpara në setin e parë, për të fituar 22-25.
Edhe i dyti nisi mirë për Tiranën, por Partizani reagoi në momentet finale, për të fituar në shifrat 25-21, duke vendosur baraspeshën në sete. Bardheblutë u rikthyen fuqishëm në fraksionin e tretë, duke dominuar në parket për të fiksuar shifrat 20-25, duke marrë epërsinë 1-2 me sete. Të kuqtë e Ylli Tomorrit, të cilët vetëm disa ditë më parë kishin fituar Ligë “Gjergj Kastrioti”, provuan në setin e katërt, por pa sukses.
Tirana u tregua përsëri më e saktë, ndërsa në fund me një bllok dysh fitues nga Aldo Kupi dhe Kreshnik Malaj, vulosi setin 22-25 dhe të gjithë ndeshjen 1-3, duke bërë që në sallë të shpërthejë festa bardheblu. Kështu Tirana fiton trofeun e dhjetë në histori në kompeticionin e Kupës së Shqipërisë, ndërsa MVP i finales së djeshme u shpall Aldo Kupi, i cili ishte vendimtar me paraqitjen e tij. Në fund u zhvillua edhe ceremonia tradicionale e medaljeve dhe e trofeut nga FSHV, ndërsa kapiteni Hendi Kono ngriti lart Kupën, me bardheblutë që iu gëzuan një suksesi të merituar.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













