VOLEJBOLL/ Kupa, Partizani dhe Skënderbeu afrohen me finalen
Partizani dhe Skënderbeu kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt kalimit për në finalen e Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj, teksa kanë kaluar me sukses ndeshjet e para gjysmëfinale, përkatësisht kundër Vllaznisë dhe Tiranës. Partizani vijon serinë e fitoreve, duke bindur çdo kompeticion ku merr pjesë.

Skuadra e Ylli Tomorrit, e cila është edhe mbajtëse në fuqi e Kupës, hodhi hapin e parë drejt finales, teksa dje triumfoi kundër Vllaznisë në Shkodër me rezultatin e pastër 0-3. Një takim pa histori, ku edhe një herë tjetër parketi konfirmoi superfuqinë e Partizanit në volejbollin shqiptar. Kështu kryeqytetasit treguan menjëherë muskujt, duke marrë setin e parë 16-25.
Diferencat ishin edhe më të mëdha në të dytin, me miqtë që fituan 14-15, ndërsa komanduan në çdo aspekt edhe në setin e tretë, ku fituan 12-25, duke vulosur suksesin e pastër në harkun kohor prej 1 ore e 19 minutash. Në takimin tjetër ndërmjet Skënderbeut dhe Tiranës kishte më shumë rivalitet, megjithatë korçarët e kaluan me sukses raundin e parë, duke triumfuar 3-1 (26-28, 25-18, 25-18, 25-22) në shtëpi.
Një fitore me përmbysjen për ekipin juglindor pas një takimi që zgjati 2 orë e 10 minuta. Më datë 17 shkurt do të jetë radha për gjysmëfinalet e kthimit. Për sa i përket historikut të Kupës së Shqipërisë, rekordin e trofeve në këtë kompeticion e mban Dinamo me 18 suksese, skuadër që fatkeqësisht prej vitesh nuk përfaqësohet më në volejbollin e meshkujve. Ndërkohë, Studenti dhe Partizani numërojnë respektivisht 16 dhe 15 trofe në Kupë.
FEMRAT – Në radhët e femrave, gjysmëfinalet e para do të luhen sot. Fillimisht në parket do të zbresin Dinamo dhe Pogradeci, një sfidë tepër interesante, e cila do të zhvillohet në orën 17:00 në sallën e Farkës. Më tej, në orën 18:00, Skënderbeu pret Tiranën në Korçë.

ARTIN LLESHAJ-PAORAMASPORT.AL













