VOLEJBOLL/ Kupa e Shqipërisë, finalja eshtë derbi Partizani-Tirana
Kupa e Shqipërisë në volejboll për meshkuj ka mësuar skuadrat finaliste të edicionit 2025-2026, me trofeun që do të vendoset nga derbi Partizani-Tirana.
Të kuqtë dhe bardheblutë siguruan kualifikimin, duke eliminuar përkatësisht Vllazninë dhe Skënderbeun në gjysmëfinale. Takimi i parë i ditës ishte në “Farie Hoti”, aty ku Tirana futej me misionin për të përmbysur humbjen 3-1 në takimin e vajtjes në Korçë. Skuadra e Arben Sakos e realizoi më së miri objektivin, teksa bëri një ndeshje të madhe, duke e mbyllur me festë. Bardheblutë fituan me rezultatin 3-0 (25-20, 25-21, 27-25), duke e çuar takimin me “golden set”, aty ku sërish triumfuan bindshëm 15- 11.
Në gjysmëfinalen tjetër, Partizani kompletoi punën, duke fituar sërish kundër Vllazninsë, këtë herë në “Asllan Rusi” me rezultatin 3-2 (27-25, 23-25, 25- 16, 24-26, 15-7). Një ndeshje që nuk kaloi pa rivalitet, pasi shkodranët dhanë gjithçka për të tentuar një përmbysje të madhe, por kualiteti dhe organizimi i të kuqve edhe një herë tjetër bënë diferencën në parket, me Partizanin që i mjaftonin vetëm 2 sete për t’u kualifikuar. Tashmë trofeu i kompeticionit të dytë për nga rëndësia në arenën kombëtare do të vendoset me derbin Partizani-Tirana. Skuadra e Ylli Tomorrit është fituese në dy edicionet e fundit dhe regjistron 15 trofe në Kupë, ndërsa Tirana numëron 9 suksese.
FEMRAT – Sot do të jetë radha për gjysmëfinalet e kthimit të Kupës në radhët e vajzave. Në orën 18:00 në sallën sportive “Arefi Berberi”, Pogradeci pret Dinamon për takimin e kthimit. Liqenoret kanë fituar 0-3 në sfidën e parë. Ndërkohë, në të njëjtën orë, Tirana dhe Skënderbeu do të luajnë aktin e dytë në “Farie Hoti”, me ekipin korçar që ka fituar 3- 2 në përballjet e parë.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













