VOLEJBOLL FEMRA/ Zgjohet Pogradeci, shtang Tiranën në finalen e dytë
Pas humbjes në shtëpi, Pogradeci i ka kthyer reston Tiranës, duke fituar në Farkë me rezultatin 1-3 takimin e dytë, për të barazuar kështu 1-1 serinë e finaleve “play off” në Superligën e volejbollit për femra.
Liqenoret arrijnë kështu të reagojnë më së miri, duke treguar një tjetër nivel në finalen e zhvilluar dje në kryeqytet, takim që zgjati 1 orë e 55 minuta. Seti i parë nisi me epërsi të Pogradecit, por më pas vajzat bardheblu u futën mirë në lojë, ndërsa pas pikëve shtesë fituan 28-26.
Miket nuk u pajtuan kurrsesi me këtë rezultat, ndërsa u shfaqën dominuese në setin e dytë. Skuadra e Besnik Lishës gjeti menjëherë besim në veprimet e saj, duke spikatur në të dyja fazat e lojës, për ta fituar setin thellë 15-25, duke vendosur baraspeshën. Edhe seti e tretë foli tërësisht për miket, të cilat i vendosën shpejt distancat dhe e mbyllën në shifra edhe më të thella, këtë herë 13-25. Kryeqytetaset e trajnerit Adrian Gorenca provuan të mbeteshin në lojë, me setin e katërt që prodhoi rivalitet, duke dhuruar një seri të gjatë barazimesh në pikë, por në fund liqenoret bënë diferencën, ndërsa Emanuela Ramo ishte protagonistja e “match point”- it, duke fiksuar shifrat e setit 21-25 dhe të gjithë takimit 1- 3.
Kennedy Stanford me 16 pikë, Edona Kalludra me 15 dhe Valentina Moya me 12 dhe Kejda Kodra me 11 pikë ishin lojtaret që u dalluan në ofensivën pogradecare. Për Tiranën në dopioshifër mbërritën kapitenia Enkeleda Braho me 19 pikë dhe Martha Garcia me 11. Tashmë seria e finaleve zhvendoset në Pogradec, aty ku më 27 prill do të luhet takimi i tretë, me liqenoret që arrijnë kështu që të rimarrin avantazhin e fushës.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













