VOLEJBOLL FEMRA/ Tirana “rrëshqet” në Farkë, Pogradeci e çon me 5 finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2026 | 13:29

VOLEJBOLL FEMRA/ Tirana “rrëshqet” në Farkë, Pogradeci e çon me 5 finale

Kampionia e Superligës për edicionin 2025-2026 në volejbollin e femrave do të vendoset me finalet të pestë. Pogradeci fitoi finalen e katërt “play off” kundër Tiranës, duke e barazuar në 2- 2 serinë.

DFG

Liqenoret, të cilat nuk kishin alternativë tjetër përveç fitores për të mbetur në garë, triumfuan dje në sallën e Farkës me rezultatin e pastër 0-3. Një ndeshje që zgjati 92 minuta, e dominuar nga skuadra pogradecare, me serinë e finaleve që vijon të dhurojë vetëm fitore të ekipeve udhëtuese.

NDESHJA – Pas një ekuilibri fillestar në lojë që zgjat deri në shifrat 8-8, skuadra e Besnik Lishës mori kontrollin, për ta fituar fraksionin e parë 17-25. I dyti nisi dhe vijoi mirë për Tiranën, me vajzat e Adrian Gorencës që u korrigjuan, duke kryesuar deri në pikët 20-18. Por, më pas kryeqytetaset u fikën, ndërsa miket rikuperuan, duke e marrë setin 23-25, me pikën e fundit nga Kennedy Stanford.

Në setin e tretë, edhe pse me diferenca të ngushta, Pogradeci ishte gjithnjë përpara, ndërsa në fund liqenoret e rritën epërsinë, duke e marrë setin 20- 25 dhe të gjithë ndeshjen 0- 3, me “match point”-in që kishte për protagoniste Stela Agollin, e cila realizoi direkt nga shërbimi. Aryn Johnson me 20 pikë dhe Kennedy Stanford me 14 bënë diferencën në ofensivën pogradecare. Për Tiranën ra në sy rendimenti jo në nivelet e zakonshme të Enkeleda Brahos, e cila e mbylli me vetëm 10 pikë, po aq sa Luljeta Stërmilla, ndërsa shënuesja më e mirë për ekipin bardheblu ishte turkja Simge Kokma, autore e 13 pikëve.

Kryeqytetaset nuk arrijnë kështu të shfrytëzojnë “bonusin” e parë për titullin, ndërsa tashmë gjithçka do të vendoset në finalen e pestë dhe të fundit më 3 maj në sallën “Arefi Berberi” në Pogradec. Vajzat bardheblu kërkojnë të mbrojnë fronin si kampione në fuqi dhe të fitojnë titullin e 22-të, ndërsa Pogradeci kërkon titullin e parë në historinë e klubit.

3020

7

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL