VOLEJBOLL FEMRA/ Tirana fiton sërish në Pogradec, titulli pranë bardhebluve
Ndonëse dy herë në disavantazh setesh, Tirana ka dhuruar një tjetër provë force në finalet “paly off” të kampionatit kombëtar të volejbollit për femra, duke fituar sërish në transfertë kundër Pogradecit, për të marrë tashmë epërsinë 2-1 të serisë.

Vajzat bardheblu reaguan më së miri pas takimit të dytë të humbur në Farkë, duke u rikhyer të komandojnë në shtëpinë e rivaleve, për të fituar 2-3 në takimin e mbrëmshëm. Sfida e zhvilluar në sallën “Arefi Berberi”, siç pritej, ishte një betejë e vërtetë, me përmbysje dhe ripërmbysje, ndërsa pas 2 orësh e 16 minutash lojë suksesi u takoi vajzave të Adrian Gorencës. Një fitore me peshë për Tiranën që tashmë është vetëm një sukses larg konfirmimin si kampione e Shqipërisë, ndërsa pogradecareve nuk u lejohet më asnjë gabim nëse duan që të realizojnë ëdrrën e titullit.
SETET – I pari u hap me dy pikë për Tiranën, ndërsa gradualisht vendëset morën kontrollin. Ndonëse në diferenca të ngushta, skuadra e drejtuar nga Besnik Lisha e menaxhoi mirë lojën, për ta fituar setin 25-19. Në të dytin bardhebluë u përmirësuan ndjeshëm, duke kryesuar gjatë të gjithë kohës, për të fituar 22-25. I treti vijoi me rivalitet të larë, me një seri të gjatë barazimesh, ndërsa në fund liqenoret bënë diferencën, duke e marrë 25-21 me 3 pikë radhazi në momentet finale nga Kennedy Stanford. Seti i katërt nisi dhe vijoi nën diktatin e Tiranës, me skuadrën bardheblu të organizuar mirë, duke shkuar deri në +7 pikë (12-19).
Por vendëset rikuperuan shpejt dhe arritën madje të barazonin në 21-21, për t’i bërë momentet e fundit dramatike. Megjithatë, miket ia dolën të mbeteshin në lojë, pasi fituan 23-25, duke e çuar ndeshjen me set final. Në setin e pestë kryeqyetaset u treguan më të sakta, ndërsa Martha Garcia realizoi pikën e ndeshjes, duke fiksuar shifrat e setit 10-15 dhe të gjithë takimit 2-3. Me 25 pikë të realizura, Enkeleda Braho tregoi edhe një herë tjetër se mbetet një garanci në sfida të tilla, duke qenë gjithnjë vendimtare në finale.
Gjithashtu për Tiranën shkëlqyen në sulm edhe Sara Malaj me 15 pikë dhe Garcia me 14. Te Pogradeci shënuesja më e mirë ishte Stanford, autore e 21 pikëve, ndërsa Kejda Kodra dhe Valentina Moya realizuan nga 15. Më 30 prill do të jetë radha e finales së katërt në Farkë, me Tiranën që është vetëm një fitore larg titullin.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













