VOLEJBOLL FEMRA/ Skënderbeu nuk e diskuton Partizanin, fluturon në gjysmëfinale
Lojërat me dorë në qytetin e Korçës kanë kaluar një fundjave perfekte, teksa pas sukseseve me ekipet e meshkujve në volejboll dhe basketboll, e diela u mbyll me një rezultat të shkëlqyer edhe me skuadrën e volejbollit të vajzave.

Skënderbeu eliminoi Partizanin në fazën para “play off”, duke prerë biletën që të çon në gjysmëfinale. Pasi kishin fituar 3-1 në shtëpi ndeshjen e parë, korçaret i mbyllën llogaritë e serisë 2-0, duke marrë edhe sfidën e dytë në kryeqytet. Takimi i zhvilluar dje në pallatin e sportit “Asllan Rusi” foli për Skënderbeun, me vajzat e drejtuara nga trajneri Erjols Haxhillari, të cilat u shfaqën superiore në të tre setet, duke fituar me rezultatin e pastër 0-3, pas një loje që zgjati 1 orë e 16 minuta.
Korçaret krijuan menjëherë diferencat, për ta marrë setin e parë 20-25. I dyti ishte më i ekuilibruar, me Partizani që provoi të rikuperonte, duke e parë veten në avantazh në shifrat 22-19. Por, në momentet kyçe, të kuqet gabojnë dhe miket “falenderojnë”, me Skënderbeun që përmbys dhe ia del të fitojë 23-25. Seti i tretë solli shthurje totale te vendëset, ndërsa korçaret bënë çfarë deshën në parket, për të fituar thellë 9- 25, duke prerë biletën e kualifikimit për në gjysmëfinale, aty ku i pret derbi i juglindjes kundër Pogradecit.

Izabela Da Silva me 14 pikë, Irsa Metanj me 13 dhe Ester Ribeiro me 12 pikë ishin lojtaret që udhëhoqën ofensivën e Skënderbeut në kryeqytet. Për Partizanin vetëm Laryn Payne mbërriti në dopioshifër, autore e 12 pikëve.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













