VOLEJBOLL FEMRA/ Rikthehet Kombëtarja pas 8 vitesh, FSHV prezanton trajnerin! Kapitenia Bici: Jam gati për të ndihmuar skuadrën
Pas një mungese të paprecedentë prej plot tetë vitesh, më në fund Shqipëria rikthehet të ketë një Kombëtare volejbolli për femra në rang të rriturash. Presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, ka prezantuar dje trajnerin e ri të Shqipërisë, i cili është italiani Nikola Koroneli.

“Këtë herë kemi marrë të gjithë iniciativën që ta grumbullojmë ekipin dhe të shkojmë përpara. Bashkëpunimi që kemi me federatën italiane që vazhdon prej gati 3 vitesh, me disa aktivitete që ne kemi ndërmarrë në Itali. Na bënë të mundur një staf për ta ngritur volejbollin tonë ato nivele të cilat ne dëshirojmë që ta çojmë. Ekipi jonë kombëtar ka si objektiv kryesor paraeliminatoret, të cilat do të mbahen në fund të majit, për të kërkuar që të futemi në fazën në e grupeve. Objektivi kryesor është pjesëmarrja në finalet e Kampionatit Europian 2030”, deklaroi ndër të tjera Pëllumbi. Ndërkohë, Koroneli u shfaq entuziast për aventurën e tij në Shqipëri.
“Sigurisht, jam shumë i lumtur që do të drejtoj Shqipërinë. Është kënaqësi, por gjithashtu edhe një përgjegjës e madhe për mua. Shpresoj që të jap ndihmën time dhe të gjithë bashkë të bëjmë më të mirën”, deklaroi tekniku italian. Në konferencën e prezantimit të trajnerit ishte gjithashtu edhe Erblira Bici, volejbolliste me një karrierë të jashtëzakonshme në elitën e volejbollit italian. Ashtu sikurse kishte deklaruar më parë për “Panorama Sport”, Bici theksoi se është e gatshme për të kontribuuar për Kombëtaren:
“Jam shumë e kënaqur që ndodhem këtu, pasi normalisht më ka munguar Kombëtarja. Objektivi im është që t’i jap një dorë vajzave të reja për t’i ndihmuar dhe shpresoj që t’i ndihmoj dhe të gjitha bashkë të bëjmë një përfaqësim të mirë dhe të tregojmë veten në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Bici. Shqipëria do të debutojë në raundin parakualifikues të Ligës Europiane, raund që do të zhvillohet më grumbullim nga data 29 deri më 31 maj në Odense, Danimarkë. Në grup bëjnë pjesë Shqipëria, Danimarka, Luksemburgu dhe Lituania. Vendi i parë dhe i dytë kualifikohen për në raundin final.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













