VOLEJBOLL FEMRA/ Pogradeci nuk njeh rivalë, Tirana kalon në “finish” Dinamon
Superliga e volejbollit të femrave ka dhënë verdiktet e sezonit të rregullt 2025-2026, teksa dje janë luajtur tre takime të javës së 14-të, që është edhe java e fundit e kampionatit.

Pogradeci e ka mbyllur në perfeksion, në krye, si ekip i pamposhtur. Liqenoret nuk falën para publikut të tyre, teksa likuiduan Partizanin me rezultatin 3-0 (25-18, 25- 16, 27-25). Vajzat e drejtuara nga Besnik Lisha e patën të thjeshtë në dy setet e para, ndërsa të tretin loja ishte më e rivalizuar dhe u vendos me pikë shtesë.
Me interes pritej derbi ndërmjet Dinamos dhe Tiranës, takim i zhvilluar në sallën e Farkës. Vajzat bardheblu u treguan superiore, duke marrë një sukses me vlera në shifrat 0- 3 (17-25, 21-25, 17-25), pas një takimi që zgjati 1 orë e 17 minuta. Me këtë fitore Tirana arrin që ta parakalojë Dinamon në klasifikim, duke i rrëmbyer bletën që të çon direkt në gjysmëfinalet “play off” si vend i dytë, pikërisht në javën e fundit të sezonit të rregullt.
Një tjetër takim i rëndësishëm i zhvilluar dje ishte përballja e zonës së ftohtë mes Vllaznisë dhe Teutës, një sfidë që ndante zonën para “play off” nga “play out”-i. Durrsaket e trajnerit Edmond Jazexhi dolën fitimtare në Shkodër me rezultatin 1-3 në një përballje që dhuroi rivalitet. Teuta mori setin e parë 22-25, ndërsa Vllaznia riktheu ekuilibrat duke fituar të dytin 25-23. Më tej bregdetaret kaluan sërish përpara, duke fituar të tretin 15- 25, ndërsa vulosën gjithçka, teksa morën edhe të katërtin 24-26 pas pikëve shtesë. Kështu, Teuta pret biletën për në para “play off”, ndërsa Vllaznia do të luajë për mbijetesë në “play out”.
Java e 14-të do të kompletohet sot me takimin Korabi-Skënderbeu, një ndeshje që ka vetëm vlerë statistikore, pasi tashmë janë zyrtarizuar çiftet për pjesën e nxehtë të sezonit. Kështu, në sfidat para “play off” do të kemi përballjet Dinamo-Teuta dhe Skënderbeu-Partizani, ndërsa Pogradeci dhe Tirana kalojnë direkt në fazën gjysmëfinale.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













