VOLEJBOLL FEMRA/ Pogradeci dhe Tirana në finalen e madhe, asnjë shans për Skënderbeun dhe Dinamon
Pogradeci-Tirana është finalja e Superligës së volejbollit për vajza në edicionin 2025-2026. Sfidë historike që vendos përballë dy skuadrat më të mira të kampionatit, të cilat kanë dominuar sezonin e rregullt, me liqenoret në vend të parë dhe ekipin bardheblu në vend të dytë, superioritet të cilin këto ekipe e kanë shtrirë edhe në “play off”, duke e siguruar kualifikimin me dy ndeshje.

Pogradeci vazhdon të mbetet skuadra e vetme pa asnjë humbje sezonale dhe dje likuidoi sërish Skënderbeun. Pasi e kishte mundur me rezultat të pastër në pëballjen e parë në shtëpi, liqenoret e Besnik Lishës triumfuan edhe në Korçë 0-3.
Gjymëfinalja e dytë nisi me rivalitet, me setin e parë të vendosor 25-27 për miket pas pikëve shtesë, por më tej ndeshja nuk kishte më histori. Pogradeci komandoi në parket, për t’i fituar thellë dy periodat e radhës, 18-25 dhe 14-25, duke vulosut suksesin në harkun kohor të 79 minutave. Një arritje e jashtëzakonshme për Pogradecin, që tashmë do të ketë mundësinë të luajë për titullin e parë kampion në historinë e klubit.

Rendiment super në sulm nga Valentina Moya me 17 pikë dhe Kejda Kodra me 16, të mbështetura nga Edona Kalludra dhe Kennedy Stanford me nga 10 pikë secila kundër korçareve. Te Skënderbeu spikatën Izabela Da Silva me 17 pikë dhe Ester Riberio me 16, por korçaret pas katër finalave radhazi në edicionet e fundit, duhet që ta mbyllin këtu kampionatin, duke u ndaluar në fazën gjysmëfinale.
Gjithçka e thjeshtë edhe për Tiranën, me vajzat bardheblu që treguan forcën kundër Dinamos në Farkë. Ndryshe nga gjysmëfinalja e parë, e vendosor me pesë sete, në takimin e djeshëm skuadra e Adrian Gorencës ishte superiore në çdo aspekt.
Tirana mori bindshëm dy setet e para në shifrat e njëjta 16- 25, ndërsa fitoi 14-25 në të tretin, duke vulosur suksesin final 0-3 në harkun kohor të 77 minutave. Simge Kokmaz me 13 pikë, Martha Garcia me 12 si dhe Enkeleda Braho e Luljeta Stërmilla me 11 pikë ishin lojtaret që mbajtën peshën në ofensivën bardheblu në këtë ndeshje. Për Dinamon shënuesja më e mirë ishte Sonia Sulejmani, autore e 10 pikëve.

Tashmë kampionati kombëtar i volejbollit të vajzave mbërrin në fazën e tij më kulmore, me Pogradecin dhe Tiranën që do të matin forcat në serinë e finaleve, ndërsa titulli do të vendoset me 3 fitore. Tirana kërkon ta thellojë rekordin dhe të mbërrijë të titulli i 22-të kampion, ndërsa Pogradeci luan për të çuar për herë të parë në qytetin liqenore trofeun më të rëndësishëm kombëtar.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













